Botë

Aksion i Policisë së Kosovës në veri, mbyllen 6 filiale të një banke ilegale nga Serbia

21.05.2024 14:41

Policia e Kosovës ka kryer një aksion në komunat veriore, ku janë mbyllur gjashtë filiale...

Policia e Kosovës ka kryer një aksion në komunat veriore, ku janë mbyllur gjashtë filiale të së ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” e Serbisë, institucion i jashtëligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë aksion është konfiskuar edhe një sasi e konsiderueshme e parave si provë material, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e Kosovës. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se bëhet fjalë për veprim për zbatimin e ligjit në fushën financiare, pasi banka në fjalë po zhvillonte aktivitete financiare pa licencë.
 
“Është dyshimi i bazuar që aktivitete të tilla janë zhvilluar pa pasur licencën përkatëse financiare që është e kundërligjshme dhe ka pasoja ligjore në lidhje me këtë. Sa u përket shumave të sekuestruara gjatë bastisjes, ato i takojnë tanimë procesit gjyqësor, pasi prokurori ka dhënë urdhër për bastisje.”, - deklaroi ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati.
 
Për këtë aksion ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili aksionin policor në veri e cilësoi si të pakoordinuar me aleatët dhe që përshkallëzon tensionet në atë pjesë, ndërsa ka ftuar autoritetet e Kosovës që këto çështje të zgjidhen në dialogun me Serbinë. Lidhur me këtë, ministri Murati thotë se Kosova nëpërmjet zëvendëskryeministrit Bislimi, në dialogun në Bruksel, ka dhënë propozime konkrete, por Serbia dëshiron ta vazhdojë mënyrën e vjetër, nëpërmjet transferimit të parave me thasë, të cilat nuk dihet se ku përfundojnë, me qëllim të vazhdimit të aktiviteteve ilegale në Republikën e Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI