Botë

Netanjahu: Kërkesa për arrestim, sulm ndaj ushtrisë izraelite

21.05.2024 16:00

Reagimet vazhdojnë pas kërkesës së kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare...

Reagimet vazhdojnë pas kërkesës së kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, i cili kërkoi urdhërarrest për kryeministrin izraelit, Netanjahu; ministrin e Mbrojtjes, Galant; si dhe tre liderë të Hamasit. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Borrell, thotë se gjykata në Hagë, si institucion i pavarur ndërkombëtar, ka mandat të procedojë krimet më të rënda dhe shtetet janë të detyruara të zbatojnë vendimet gjyqësore. Akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me luftën në Gazë, nga Uashingtoni vlerësohen si të turpshme.
 
“Ne refuzojmë kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhërarrest kundër Izraelit. Çfarëdo që nënkuptojnë këto urdhëresa, nuk ka ekuivalencë midis Izraelit dhe Hamasit. Dhe është e qartë, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar mbrojtjen civile.”, - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden.
 
Kryeministri izraelit thotë se kërkesa për arrestimin e tij është sulm ndaj ushtrisë izraelite dhe Izraelit. Nga ana tjetër, Hamasi thotë se vendimi i prokurorit inkurajon Izraelin të vazhdojë luftën e shfarosjes. Megjithatë, Izraeli nuk është anëtare e gjykatës, kështu që edhe nëse lëshohen urdhra arresti, Netanjahu dhe Gallanti nuk përballen me rrezik të menjëhershëm për ndjekje penale.
 
“Izraeli po bën një luftë të drejtë kundër Hamasit. Asnjë presion dhe asnjë vendim në asnjë forum ndërkombëtar nuk do ta pengojë Izraelin të mbrohet kundër atyre që duan të na shkatërrojnë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Ndërkohë, agjencitë e ndihmës të OKB-së po paralajmërojnë për vuajtje të mëtejshme në Gazë, ndërsa operacionet e mbrojtjes izraelite në Rafah intensifikohen.
 
"Jam thellësisht i shqetësuar se trajektorja aktuale, duke përfshirë mundësinë e operacioneve në shkallë më të gjerë, do të minojë më tej përpjekjet për të rritur rrjedhën e mallrave humanitare dhe shpërndarjen e tyre të sigurt për civilët e dëshpëruar.", - u shpreh koordinatori special në Lindjen e Mesme për procesin e paqes, Tor Venesland.
 
“Në dy javët e fundit, më shumë se 800.000 njerëz janë zhvendosur nga Rafah në pjesë të tjera, zona të tjera të Gazës në kërkim të sigurisë. Konflikti vazhdon dhe jeta e civilëve është në rrezik.”, - deklaroi drejtori i Departamentit të Operacioneve dhe Avokimit të OCHA, Edem Vosornu.
 
Ditën e djeshme mijëra protestues antiqeveritar u mblodhën para ndërtesës së Knesetit në Jerusalem. Ata kërkojnë zgjedhje dhe lirimin e pengjeve. Hamasi besohet se mban mbi njëqind persona që nga sulmi i 7 tetorit, ku u rrëmbyen 252 persona, kryesisht civilë.
 
LEUNORA KALIQI