Ekspertët juridik: Qeveria, të heq dorë nga zgjedhja e kryeprokurorit
Qeveria duhet të heq dorë nga zgjedhja e kryeprokurorit...

Aktualisht prokuroria është organ vetëm, i mëvetësishëm, por jo dhe i pavarur, deklaron eksperti juridik, Afrim Osmani. Ai shton se zgjedhja e kryesisë së prokurorisë me propozim të qeverisë pamundëson zgjidhje të paanshme të proceseve të fundit të iniciuara si pasojë e krizës politike, andaj dhe duhen ndryshime ligjore për mënyrën e zgjedhjes së saj.
“Me hyrje në fuqi të Ligjit për Procedurë Penale, ku iu shtuan ingerencat Prokurorisë Publike të RM-së, duhej të parashihet edhe mënyra apo dhe të ndryshohet modeli i zgjedhjes, respektivisht emërimit të kryeprokurorit. Ja për momentin paraqitet edhe rasti ku ai duhet të iniciojë edhe procedura penale kundër zyrtarëve të lartë të shtetit, por meqenëse ata vet i kanë zgjedhur, për fat të keq i ka duart e lidhura. Jam i mendimit se një nga mënyrat apo reformat e ardhshme që duhet në këtë drejtim të bëhen është edhe ndryshimi i modelit të zgjedhjes së kryeprokurorit të RM-së”- deklaroi eksperti juridik, Afrim Osmani.
Ndërkaq, eksperti juridik, Gordan Kallajxhiev, është i mendimit se është e mundur zgjidhja politike me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve, me kusht që të ndryshojë elita në prokurori, duke u zëvendësuar me prokurorë të ri nga vendi ose nga jashtë, tek të cilët publiku dhe partitë politike do të kenë besim.
“Mendoj se tentimi i parë dështoi për arsye se Bashkimi Evropian nuk deshi të jetë peng i një zgjidhje politike, që nga fillimi ishte i dënuar me dështim për shkak të ndeshjes së interesave brenda në krye të prokurorisë, mos të flas për në gjyqësor. Nëse ka konsensus dhe besim të përgjithshëm se personat që do t’i udhëheqin këta raste janë të paanshëm dhe të drejtë, do të mund të marrë pjesë edhe Bashkimi Evropian. Ajo do të thotë para së gjithash dorëheqje, zgjedhjen e personave të ri, tek të cilët publiku dhe partitë do të kenë besim, dhe në mënyrë plotësuese edhe pjesëmarrje të mbikëqyrësve nga BE. Kjo do të ishte zgjidhja e vetme juridike, gjithçka tjetër është zgjidhje politike”- tha eksperti juridik, Gordan Kallajxhiev.
Osmani vlerëson se Bashkimi Evropian duhet të marrë pjesë aktive në proceset e iniciuara para prokurorisë, pasi që pjesëmarrja e tyre pa ndikuar në vendimmarrje do të ishte e kotë. (Florije Kamberi, TVM2)
