Botë
Ukrainë, Zelenski: Ushtria ukrainase po mban kontrollin kudo
21.05.2024 16:26
Presidenti ukrainas thekson se ushtria ukrainase po mban kontrollin kudo....

Presidenti ukrainas thekson se ushtria ukrainase po mban kontrollin kudo. Akuzoi se Moska po sulmon në mënyrë aktive, duke ritheksuar nevojën për mbrojtje ajrore, sisteme mbrojtëse shtesë, që mund të zbusin ndjeshëm granatimet.
"Hap pas hapi ne po krijojmë shtylla të reja për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Me gjithë brutalitetin e presionit rus dhe gjithë poshtërsinë e terrorit, bota duhet të dëshmojë se forca e të gjithë atyre që vlerësojnë jetën është e mjaftueshme për të mbrojtur veten.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Përfaqësues të ndryshëm të regjimit të Kievit dhe vetë Zelenski kanë dhënë shumë deklarata ditëve të fundit, ndonjëherë duke rrëshqitur në histerikë, theksoi Peskov.
"Kjo është për shkak të pozicionit jashtëzakonisht të pafavorshëm të forcave të regjimit të Kievit në fushën e betejës. Kjo është edhe për shkak të situatës së vështirë në të cilën ndodhet ushtria ukrainase, me gjithë ndihmën e premtuar.", - u shpreh sekretari për shtyp i presidentit Vladimir Putin, Dmitri Peskov.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shërbime me vlerë 100 milionë dollarë për të mbështetur sisteme të ndryshme amerikane për Ukrainën. Parlamenti francez, nga ana tjetër, bëri thirrje për heqjen e kufizimeve për sulmet e Ukrainës në territorin e Rusisë me armë të dorëzuara nga Franca.
LEUNORA KALIQI
