Dermatologët apelojnë për kujdes, rrobat e reja mund të shkaktojnë alergji
Shumë herë ndodh që të veshim rroba të reja pa i larë paraprakisht...

Rrobat qëndrojnë një kohë të gjatë në vitrinat dhe raftet e dyqaneve dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pluhurin, madje aspak nuk na shkon në mendje se sa herë të njëjtat provohen nga shumë persona.
Dermatologët thonë se rrobat e sapo blera mund të shkaktojnë alergji tek shumë njerëz. Sipas tyre, krijohen disa antitrupa që janë karakteristike për alergjitë të cilat manifestohen me kruajtje dhe skuqje.
“Është një virus dhe mënyra e transmetimit mendohet të jenë rrobat, d.m.th. veshja e rrobave të reja dhe shpesh pacientët që vijnë kanë një anamnezë të cilën e lidhin jo vetëm me blerjen e rrobave dhe moslarjen, por edhe provimin(veshjen ) e rrobave nëpër dyqane, kjo që shfaqet nuk është e rrezikshme, shfaqet me një lezion të kuq pak më të madh, që i themi ne si medaljoni primar dhe pas asaj, pas një jave ose dy shfaqen lezione të njëjta që janë si i pari, mirëpo më të vogla, dhe këto përgjithësisht shfaqen në pjesën e trupit dhe ekstremitetet deri diku i shmangin, d.m.th. është pjesa e trupit nga qafa deri poshtë”- deklaroi dermatologia, Nora Pollozhani.
Edhe pse qytetarët që patëm rastin t’i anketojmë pohojnë se nuk i veshin rrobat e blera pa i larë, kjo nuk do të thotë se të gjithë veprojnë kështu.
“Po, patjetër që i lajmë rrobat e reja para se t’i veshim, nuk mundet prej dyqanit menjëherë t’i veshim, sepse thjesht s’janë të pastra, mund të jenë të pluhurosura ose të provuara nga shumë persona dhe patjetër duhen larë”- u shpreh një qytetare.
“Po, i lajmë njëherë, gruaja ime i lanë, sepse kanë bakterie, e pastaj i veshim”- theksoi një qytetar.
“Po, gruaja ime çdoherë mi lanë rrobat, pastaj i veshi, sepse mund t’i përdorin shumë njerëz”- tha një qytetar.
Alergjitë si pasojë e veshjeve të reja posaçërisht janë aktive gjatë kësaj periudhe, thonë dermatologët. Sipas tyre, nëse njerëzit shikojnë ndonjë ndryshim në lëkurë le të paraqiten tek mjeku amë për të marrë udhëzim për në dermatolog. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
