Botë
Përleshje të ashpra në Ukrainë, Rusi, përgatitje për përdorim të armëve bërthamore
22.05.2024 15:15
Rusia ka nisur stërvitjet për përdorimin e armëve bërthamore taktike në përgjigje të kërcënimeve perëndimore...

Rusia ka nisur stërvitjet për përdorimin e armëve bërthamore taktike në përgjigje të kërcënimeve perëndimore. Manovrat po zhvillohen në Qarkun Ushtarak Jugor, i cili ndodhet afër Ukrainës dhe përfshin zonat ukrainase të aneksuara nga Moska. Beteja të ashpra janë duke u zhvilluar në front në Ukrainë. Situata është më e vështirë në Harkiv dhe Donjetsk. Sulme me dron janë regjistruar edhe në Belgorod të Rusisë.
"Situata në Donjetsk - Kramatorsk mbetet jashtëzakonisht e vështirë, shumica e luftimeve po zhvillohen atje. Në rajonin e Harkivit, forcat tona po shkatërrojnë pushtuesin dhe rezultatet janë të dukshme.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Për shkak të sulmeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, Kievi po përballet me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Autoritetet po i kërkojnë vendit të përgatitet për dimër, të blejë pjesë rezervë për impiantet e vjetra të epokës sovjetike dhe më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Sulmet nuk do të mbarojnë dhe nëse kryhen sulme shtesë që do të ndikojnë negativisht në sistemin energjetik, do të jetë shumë e vështirë. Prandaj, është e nevojshme të përgatitemi.”, - theksoi ministri i Energjisë së Ukrainës, Herman Halushçenko.
Dërgimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë është prioritet, thotë MPJ-ja gjermane.
“Mbrojtja më e mirë kundër terrorit raketor rus është forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, kështu që ky është një prioritet absolut për ne në këtë moment. Ne po i bëjmë një apel urgjent partnerëve tanë ndërkombëtarë që të ofrojnë sisteme shtesë.”, - u shpreh ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbok.
Shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një plan për të përdorur fitimet nga fondet e ngrira ruse për të investuar në mbrojtjen e Ukrainës.
“Këshilli Evropian do të diskutojë mënyrat në të cilat Bashkimi Evropian mund të forcojë mbështetjen për mbrojtjen e Ukrainës dhe në drejtim të arritjes së përparimit në rindërtim. Pagesa e parë do të bëhet në korrik kur të dimë nevojat e Ukrainës.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib.
Bashkimi Evropian nuk e vë në dyshim legjitimitetin e Zelenskit, pavarësisht faktit se mandati i tij presidencial ka skaduar, njoftoi Brukseli.
FARIJE DAUTI BAKIJU
