Botë
Tiranë, Rama priti ministrin e Jashtëm britanik, Kameron
22.05.2024 15:55
Në një vizitë 2-orëshe në Tiranë, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kameron...

Në një vizitë 2-orëshe në Tiranë, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kameron, e vuri theksin tek suksesi në luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama.
“Ka qenë një partneritet vërtet i mrekullueshëm, shumë pozitiv, shumë i arrirë dhe shpresoj të jetë shembull edhe për të tjerët, sepse në të gjithë Evropën problemi i migracionit të parregullt është një problem që hasen të gjithë dhe siç u kam thënë edhe ministrave të tjerë të jashtëm është një problem me të cilin duhet ta përballoni ju, përndryshe në rastin e Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar, ju keni treguar se jeni novator, jeni krijues dhe punoni për këto partneritete kaq të forta dhe në sajë të kësaj pune arrini rezultate të shkëlqyera.”, - deklaroi sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar,
Dejvid Kameron.
“Jemi shumë të kënaqur me rezultatet e arritura, por operacioni ynë i përbashkët do të vazhdojë dhe gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim, gjë që natyrisht lidhet edhe me vullnetin e përbashkët për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni që pa diskutim ka të bëjë me rrjetet e krimit të organizuar.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kameroni, Shqipërinë e konsideroi një histori suksesi në zhvillim ekonomik brenda, por edhe në rolin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Një nga arsyet pse doja të vija është për të festuar suksesin tuaj, sepse Shqipëria është histori suksesi. Ekonomik në NATO, lidershipi juaj në Këshillin e Sigurimit. Keni dhënë një drejtim kaq të qartë për atë se ku doni të arrijë Shqipëria dhe se ku duhet të jetë në sferën e NATO-s dhe të BE-së.”, - u shpreh sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kameron.
Financimi i hekurudhës Durrës - Prishtinë ishte projekti më i madh që të dy liderët përmendën, e që do të mbështetet nga Mbretëria e Bashkuar.
"Në planet e bashkëpunimit bilateral dëshiroj të theksoj se kemi diskutuar për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me rëndësie të veçantë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë. Element kyç i projekt të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh se së shpejti në hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit. Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit.”, - theksoi kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama.
Për shkak të agjendës, Kameron nuk mundi të takojë presidentin Bajram Begaj, ndërsa në mbërritje u prit nga homologu, Igli Hasani.
LULJETA NDOKA
