Maqedoni
Likovë, dëme nga breshëri, kurse Kumanova mbetet pa ujë
22.05.2024 16:12
Moti i lig i përcjellë me të reshura të mëdha të shiut që dje vonë pasdite, rreth orës 18:00 përfshiu rajonin e Likovës...

Moti i lig i përcjellë me të reshura të mëdha të shiut që dje vonë pasdite, rreth orës 18:00 përfshiu rajonin e Likovës dhe Karadakun në përgjithësi, ka shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe kopshtari.
Gati të gjitha fshatrat e Likovës nga Hotla e deri në Llojan ishin të përfshira nga breshëri. Për disa çaste, të gjitha sipërfaqet u zbardhuan sikur të kishte rënë borë. Lumi i Sllupçanit kishte arritur majën kritike të nivelit të shtratit.
Dëmet në bujqësi dhe kopshtari janë evidente. Pothuajse gjithçka është shkatërruar. Me siguri ditëve në vijim, ekipet e posaçme do të konstatojnë dëmet e shkaktuara nga të reshurat.
Nga paraditja e së mërkurës qyteti i Kumanovës ka mbetur pa ujë të pijshëm. Nga NP “Ujësjellësi” në Kumanovë njoftojnë se punëtorët e turnit në stacionin e filtrimit kanë vërejtur koncentrim të lartë të ujit të ndotur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe nga breshëri.
“Në orët e hershme të mëngjesit është konstatuar se në fabrikën për pastrimin e ujit ka arritur sasi e madhe e ujit, e cila ishte me ndotje të madhe ekstreme, respektivisht me baltë, pasi ky ujë i ndotur hyri në pastrim, por menjëherë edhe e çrregulloi procesin e pastrimit. Ashtu që u detyruam ta ndërpresim procesin e pastrimit të ujit dhe tërë ujin e ndotur ta orientojmë në kanalizim.”, - theksoi shefi i Departamentit për objektet e “Ujësjellësit” – Kumanovë, Toni Jovcevski.
Nga Qendra për menaxhim me kriza njoftojnë se për shkaqe të sigurisë shëndetësore është dhënë urdhër për ndalesë të pirjes së ujit nga çezmat, ndërkohë që të punësuarit e “Ujësjellësit” tërësisht kanë ndërprerë furnizimin e qytetit me ujë deri në vendimin e radhës.
Për këtë arsye në mesditë në ambientet e komunës së Kumanovës është mbledhur Shtabi i krizës për të debatuar lidhur me gjendjen më të re me situatën pas motit të djeshëm, si dhe me gjendjen me ujin e pijshëm.
FATLUM AQIFI
