Botë
Haxhiu: Ndërkombëtarët t’i mbështesin aksionet në veri
22.05.2024 16:34
Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar mbështetje dhe përkrahje nga faktori ndërkombëtar...

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar mbështetje dhe përkrahje nga faktori ndërkombëtar për aksionet që kanë për qëllim shtrirjen e sovranitetit dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës. Pas reagimeve të ndërkombëtarëve në lidhje me aksionet e fundit në veri, Haxhiu ka thënë se aksionet e tilla kanë për synim mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës.
“Ne kemi përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet të cilat kanë ndodhur si përpjekje për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin territorial në veriun e vendit. Ka pasur edhe dje një veprim institucional nga ana e institucioneve përgjegjëse me qëllim të zbatimit të ligjit dhe zbatimit të rregullores nga ana e BQK-së. Ne si Qeveri mbështesim secilin aksion i cili është i ligjshëm siç ishte edhe aksioni i djeshëm, prandaj edhe besoj që edhe miqtë e partnerët tanë, aksionet të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi që kanë për qëllim shtrirjen e rendit ligjit më çdo pjesë të territorit të Kosovës, duhet që t’i mbështesin dhe të na ndihmojnë në këtë përpjekje. Sigurisht që ne në vazhdimësi kemi komunikime me partnerët tanë dhe sigurisht që ne si Qeveri e Kosovës do të angazhohemi që përditë në veriun e vendit tonë të këtë rend e rregull, të këtë veprim të ligjit të institucioneve dhe jo veprime ilegale sepse ju e keni parë që ato assesi nuk do të tolerohen.”, ka thënë Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
