Maqedoni

Eskobar: RMV-ja do ta vazhdojë rrugën evropiane, Mitsotakis: RMV-ja ta respektojë Marrëveshjen e Prespës

22.05.2024 19:32

“Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën evropiane.”, tha zëvendës ndihmës sekretari...

“Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën evropiane.”, tha zëvendës ndihmës sekretari dhe përfaqësuesi special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në një intervistë të dhënë për Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik.
 
Tha se pas përfundimit të zgjedhjeve të dyfishta, ShBA-ja ka marrë garanci nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së se do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar në kursin euroatlantik dhe beson se do të  vazhdojë të respektohen marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare nga përbërja e re qeveritare në RMV.
 
“Presim plotësisht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, të angazhohet, të vazhdojë të jetë një anëtare e përkushtuar e NATO-s, dhe më besoni, ata janë një anëtar i përkushtuar i NATO-s. Dhe morëm garanci nga të gjitha nivelet e kryesisë partiake që fitoi zgjedhjet, se do të mbeten të përkushtuar në rrugën evropiane.”, - deklaroi sekretari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar.
 
Greqia veç më ka kërcënuar se do të lidhë përparimin e vendit drejt BE-së me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht me përdorimin e emrit kushtetues të vendit. Zgjedhjet mbaruan.
 
Tani është koha që partnerët tanë nga Maqedonia e Veriut të bëhen serioz dhe të respektojnë marrëveshjen ndërkombëtare, nëse ende u intereson atyre që të mbeten në rrugën evropiane, tha kryeministri Mitsotakis në një intervistë të dhënë për televizionin grek, duke bërë të qartë se sa i përket përdorimit të çështjes së emrit të RMV-së, Greqia nuk do të tërhiqet. 
 
“Emri i shtetit është Maqedonia e Veriut dhe derisa dikush vazhdon ta riemërojë Republika e Maqedonisë, të dini se do të qëndrojmë përballë atyre. Ekziston mundësia që të bisedojmë për të ardhmen e marrëveshjes dhe ajo që mund të bëjmë është që të bëjmë presion të madh mbi Shkupin dhe pushtetin, që të kuptojnë që kjo politikë në fund do t’i dërgojë deri në izolim ndërkombëtar dhe mendoj se këtë gjë ata nuk e dëshirojnë.”, - theksoi kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
 
Për memorandumet të cilët ende nuk janë ratifikuar, Mitsotakis përsëriti qëndrimin e tij se Greqisë i nevojiten “armë shtesë negociuese”, ndërsa pikërisht 3 protokollet, sipas tij, e përforcojnë pozicionin grek dhe janë “armë diplomatike” në favor të Greqisë.
 
REXHEP QAMILI