Botë
Forcat izraelite depërtojnë thellë në Rafah
23.05.2024 14:18
Tanket izraelite kanë përparuar në një lagje thellë brenda Rafahut...

Tanket izraelite kanë përparuar në një lagje thellë brenda Rafahut, gjatë një prej netëve më intensive të bombardimeve në qytetin jugor të Gazës që kur Izraeli filloi ofensivën para një muaji.
Siç raportohet, sulmi i Izraelit në Rafah ka bërë që mijëra njerëz të ikin nga ajo që kishte qenë strehë për gjysmën e banorëve të enklavës.
Gjithashtu, sulmi ka ndërprerë edhe rrugët kryesore të hyrjes së ndihmave në Gazë, duke shkaktuar frikë ndërkombëtare për viktima masive. Por, Izraeli thotë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të sulmojë qytetin për siç thuhet “të çrrënjosur batalionet e fundit të Hamasit”.
Ndërkohë, së fundmi tanket izraelite kanë zënë pozicione të reja përgjatë vijës kufitare me Egjiptin dhe janë vendosur në lagjen Jibna në qendër të qytetit. Banorët palestinezë thanë se dronët izraelitë kanë sulmuar Jibnan dhe kanë hapur zjarr mbi disa anije.
“Nuk janë ndaluar zjarret izraelite gjatë gjithë natës, nga dronët, helikopterët, aeroplanët luftarak dhe tanket”, tha një banor i Rafahut, duke kërkuar që emri i tij të mos zbulohej për të mos rrezikuar sigurinë e tij. Ndryshe, UNWRA, agjencia kryesore e OKB-së në Gazë, vlerëson se më shumë se 800 mijë njerëz janë larguar nga Rafahu, që kur Izraeli filloi të sulmonte qytetin, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare.
