Botë
Uashingtoni: Njohja e shtetit palestinez nuk do ta afrojë rajonin drejt një zgjidhjeje
23.05.2024 14:40
Lufta shtatë mujore midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës...

Lufta shtatë mujore midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, e shkaktuar nga një sulm terrorist në territorin izraelit më 7 tetor, ka ripërtërirë thirrjet për njohjen e një shteti palestinez. Pasi Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan se do ta njohin zyrtarisht Palestinën më 28 maj, Uashingtoni thotë se kjo nuk do ta afrojë rajonin më afër zgjidhjes me dy shtete.
"Ne besojmë se e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje me dy shtete që përfiton, si izraelitët ashtu edhe palestinezët, është përmes negociatave të drejtpërdrejta midis palëve. Kjo është ajo që ne po synojmë dhe kjo është një strategji më e madhe rajonale.”, - deklaroi këshilltari për Sigurinë Kombëtare e Shtëpisë së Bardhë, Xhejk Sullivan.
Kryeministri izraelit Netanjahu thotë se njohja e një shteti palestinez është një shpërblim për terrorizmin.
“Kësaj të keqeje nuk i duhet dhënë tokë. Ky do të jetë një shtet terrorist. Një shpërblim për terrorizmin nuk do të sjellë paqe dhe nuk do të na pengojë të mposhtim Hamasin.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Në lidhje me situatën në Rafah, Shtëpia e Bardhë siguron se Izraeli po kryen operacione të kufizuara. Kriza humanitare e Gazës u përshkallëzua pasi Izraeli sulmoi qytetin jugor dhe mbylli një vendkalim jetik kufitar, duke u zotuar se do të çrrënjoste luftëtarët e Hamasit. Luftimet shpërngulën përsëri qindra mijëra palestinezë. Përfaqësuesit e përhershëm të Jordanisë, Kuvajtit dhe Sllovenisë në OKB shpallën një iniciativë për detyrime të përbashkëta ndaj agjencisë palestineze të refugjatëve - UNRWA.
“Në përputhje me mandatin e Asamblesë së Përgjithshme, agjencia ka një rol jetik në ofrimin e ndihmës humanitare dhe shërbimeve të zhvillimit njerëzor për brezat e refugjatëve palestinezë në territorin e pushtuar palestinez, në Jordani, Liban dhe Republikën Arabe Siriane. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se është e rëndësishme që vendet të konfirmojnë mbështetjen e tyre për punën e Agjencisë dhe rolin e saj të domosdoshëm në ofrimin e ndihmës.”, - u shpreh përfaqësuesi i përhershëm në Kombet e Bashkuara – Jordani, Mahmud Daifalah Hmoud.
Forumi izraelit i familjeve të të burgosurve dhe personave të zhdukur publikoi një video të rrëmbimit të ushtarëve femra izraelite gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
“Herën e parë që pashë videon qava, nga fundi u ndjeva të përziera. Mendoj se kushdo që e shikon këtë video do ta kuptojë këtë ndjenjë, veçanërisht si grua.”, - u shpreh një familjare e pengut.
Izraeli thotë se rreth 100 pengje janë ende të bllokuar në Gazë, së bashku me trupat e rreth 30 të tjerëve, pasi televizioni amerikan CNN raportoi se shërbimet e inteligjencës egjiptiane dyshohet se ndryshuan kushtet e një propozimi të fundit të armëpushimit dhe e prishën marrëveshjen.
BELINDA KOKA ADEMI
