Futboll

Dinamo Zagreb fiton edhe Kupën e Kroacisë

23.05.2024 17:27

Arbër Hoxha ka qenë lojtari vendimtar i këtij sezoni për skuadrën e Dinamo Zagreb...

Sulmuesi i cili i është bashkuar së fundmi kombëtares shqiptare, ishte vendimtar në ndeshjen ndaj Rijekës në kampionat me golin që shënoi dhe që ktheu fatin e luftës së titullit në krahun e skuadrës së tij.
 
Hoxha ka qenë përsëri vendimtar ndaj të njëjtës skuadër, këtë radhë në ndeshjen e kthimit të finales së Kupës. Hoxha ishte titullar dhe la menjëherë shenjë në pjesën e parë të ndeshjes teksa ishin dy asiste të tij që sollën golat e shpejtë të Suçiç dhe Baturina.
 
Sfida u mbyll me fitoren 3-1 të Dinamo Zagreb në transfertë dhe pas barazimit 0-0 në sfidën e parë, Kupa i shkoi përsëri ekipit të kryeqytetit që vazhdoi kështu dominimin e plotë në futbollin kroat falë kontributit të Hoxhës i cili po kthehet në një lojtar kyç për të.