Botë

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, zyrtarët serb vazhdojnë kundërshtimin

24.05.2024 15:05

Politikanët boshnjakë dhe shoqatat e familjarëve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë....

Politikanët boshnjakë dhe shoqatat e familjarëve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë kanë mirëpritur miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Nermin Nikshiq, tha se rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë është një akt njerëzor dhe civilizues. Derisa Shoqata e Nënave, Srebrenicën e quajti “fitore e të vërtetës dhe drejtësisë”, miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Por, edhe pse në Srebrenicë, forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995, kryeparlamentarja serbe, Bërnabiq, miratimin e rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë e quajti arrogancë të forcave të mëdha. Ajo madje ka thënë se Serbia do ta ketë tejet të vështirë të bashkëpunojë me vendet që e kanë sponzoruar apo mbështetur këtë dokument, në mesin e të cilëve është edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. 

“Tani ndjehem shumë më afër vendeve që votuan përmbajtur apo e lëshuan sallën. Do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë dhe me anëtaret e BE-së. Ky është interesi ynë nacional, por do t’u ofrojmë mbështetje pa kusht vendeve që ishin me ne në këto momente absolutisht të vështira. Rezoluta u miratua, por ajo ishte fitore e Piros, pasi tërë bota e pa arrogancën e forcave të mëdha.”, - deklaroi kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq.
 
Ngjashëm u shpreh edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili u shpreh mirënjohës ndaj vendeve që nuk e mbështetën rezolutën si Kina dhe Rusia. Ndërsa presidenti i entitetit të Republikës Sërbska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, duke e cilësuar si të “dështuar” rezolutën, paralajmëroi fillimin e procedurës për ndarjen e Republikës Sërbska nga Bosnje e Hercegovina brenda 30 ditësh.
 
“Mbetemi në paqe, por fillojmë me vendimin formal për ndarje paqësore. Do të propozojmë marrëveshje për vendimin. Do të propozojmë kompetencat politike të etniteteve të barten në një model ekonomik funksional, që për disa vite do të aftësohet për ndarje paqësore. Askush nuk do t’i bëjë presion askujt. Nuk mundemi të jetojmë më në Bosnjë Hercegovinë.”, - theksoi presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë Hercegovinë, Millorad Dodik.
 
Por, kryeministri kroat Plenkoviq, duke e përshëndetur rezolutën ka shprehur mbështetje për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnje Hercegovinës. 
 
“E mbështesim fuqishëm stabilitetin e Bosnjë Hercegovinës, integritetin dhe sovranitetin. Pozicioni ynë është i qartë, shtet funksional me tre etnitete konstituive. Përkrahje edhe për rrugën evropiane të federatës. Do të bëjmë çfarë është e nevojshme që kjo të ndodhë.”, - u shpreh kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. 
 
Rezoluta që u miratua me 84 vota për, 19 kundër dhe 68 abstenime, shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta mes tjerash bën thirrje edhe për "dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin". Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Për gjenocidin e kryer, deri më tani, janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg, në mesin e të cilëve edhe ish-presidentin e Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandantin e përgjithshëm të ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.
 
FLORIJE KAMBERI