Botë

24 Maji - Dita e Presidentit në Kosovë, Osmani: Fjalimet e Rugovës pasqyrojnë rrugëtimin historik

24.05.2024 15:43

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 24 Majit – Ditës së Presidentit, ka vizituar Shtëpinë e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 24 Majit – Ditës së Presidentit, ka vizituar Shtëpinë e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, ku së bashku me familjen e ish-presidentit historik të Kosovës, ka marrë pjesë në përurimin e librit me autor Munish Hyseni “Liria si imanencë njerëzore”, që përmban fjalime të Presidentit Rugova nga viti 1976 deri në vitin 2005. Osmani tha se 24 Maji, Dita e Presidentit, është vendosur nga vetë presidenti historik, Ibrahim Rugova.
 
“Ora 12 në Shtëpinë e Pavarësisë, apo në shtëpinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si njihej paralufte, është një kujtesë historike për të gjithë ne, sepse po në këtë orë, çdo të premte, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik, apo si njihej, Dr. Ibrahim Rugova, me konferencat e tij të përjavshme për shtyp sensibilizoi për vite me radhë opinionin ndërkombëtar për ngjarjet ne Kosovë. Presidenti Rugova ishte dhe mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin kryesor dhe të pazëvendësueshëm SHBA-në.”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.