Botë
Ban nuk e mbështet papën në vlerësimin për krimet ndaj armenëve
14.04.2015 09:22
Sekretari i përgjithshëm i KB-së Ban Ki-mun konsideron se ajo që iu ka ndodhur armenëve para 100 viteve gjatë Perandorisë Osmane...

Sekretari i përgjithshëm i KB-së Ban Ki-mun konsideron se ajo që iu ka ndodhur armenëve para 100 viteve gjatë Perandorisë Osmane është "krim i tmerrshëm", por nuk e mbështet papa Françeskun, i cili vrasjet i karakterizon si "gjenocid të parë të shekullit të 20-të", kumtoi zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara.
Zëdhënësi Stefan Dujarik para gazetarëve deklaroi se Ban është njoftuar me atë që e ka deklaruar papa dhe se në tërësi është i vetëdijshëm për "ndjeshmërinë e përcaktimit të karakterit të asaj që ka ndodhur në vitin 1915", transmeton agjencia gjermane DPA.
Me rastin e ngjarjeve tragjike, siç i përshkruan Dujarik, më 24 prill do të mbahen përkujtimore në Armeni dhe në mbarë botën.
Papa Françesku me rastin e shënimit të 100 vjetorit të masakrës armene në Perandorinë Osmane, në fjalimin e tij e përdori fjalën "gjenocid", që sipas mediave mund seriozisht t'i prishë marrëdhëniet diplomatike midis Vatikanit dhe Turqisë.
Një numër i madh i historianëve e konsiderojnë vrasjen e miliona armenëve në Perandorinë Osmane si "gjenocidi i parë i shekullit të 20-të", por Ankaraja zyrtare kategorikisht i hodhi poshtë akuzat e tilla.
Pas deklaratës së papës, reagoi edhe Turqia dhe menjëherë i bëri thirrje për konsultime ambasadorit të saj në Vatikan, kumtoi Ministria turke e Punëve të Jashtme.
Në deklaratën e Ministrisë theksohet se populli turk nuk i pranon fjalët e papës, të cilat janë polemika në çdo aspekt, bazohen në paragjykime dhe e deformojnë historinë.
Gjenocidi armen është njohur nga 20 vende, midis të cilave Franca, Zvicra, Rusia, Kanadaja, por edhe nga Parlamenti Evropian./mia
