Maqedoni

Mickoski nuk heq dorë nga ëndrra për t’u bërë pjesë e BE-së

24.05.2024 17:27

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se nuk heq dorë nga ëndrra që vendi të bëhet pjesë e BE-së...

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se nuk heq dorë nga ëndrra që vendi të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa thekson se padrejtësisht kemi paguar çmim të lartë në pritje për anëtarësim. Është interesante se si një betim i Presidentit të Republikës mundet ta kthejë vëmendjen e të gjithë opinionit grek dhe evropian, kurse pritja jonë joparimore për ulësen e BE-së më shumë se dy dekada e gjysmë nuk komentohet dhe nuk i intereson askujt, deklaroi Mickoski, duke shtuar se edhe Maqedonia është Evropë.
 
“Nga pritja e vazhdueshme humbet dinjiteti ynë, goditet vetëbesimi ynë dhe vetpërcaktimi kolektiv. Nëse flas, kjo nuk do të thotë se heq dorë nga ajo ëndërr, sepse edhe Maqedonia është Evropë dhe e ka të drejtën për anëtarësim në Union, sepse një pjesë të vogël, por shumë të rëndësishme nga kalaja kolektive e Evropës i takon pikërisht Maqedonisë sonë të përbashkët.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Si mandatar i ardhshëm, Mickoski theksoi nevojën për unitet, tejkalim të ndasive dhe urrejtjes, si dhe paralajmëroi se do të kërkohet përgjegjësi nga të zgjedhurit dhe të emëruarit në qeverinë e ardhshme.
 
“Nuk e kemi zgjedhjen e as luksin që të mos kemi sukses, qëllimi im është që t’i tejkalojmë të gjitha ndarjet, ta fitojmë çdo urrejtje dhe t’iu lidhim burimet e së keqes me përgjegjësinë, e cila patjetër duhet të jetë e patejkalueshme, absolute dhe jo selektive. Përkundër kësaj, populli e din se për të gjithë ne ekziston një qiell i njëjtë nën të cilin jetojmë, vuajmë dhe gëzohemi. Pas meje është liqeni i Ohrit, brigjet e të cilit mijëra vite bashkojnë njerëz të përkatësive të ndryshme etnike apo fetare. Nuk ekziston diçka si popull i keq apo i mirë, ekzistojnë vetëm njerëz të dinjitetshëm, të cilët meritojnë gëzim.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski njëherit premtoi se në atë që më së shumti do të fokusohet është ajo që e prek secilin njeri, nevojën për jetë më të mirë dhe ndërtimin e ardhmërisë së përbashkët. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU