Botë

Ofensivë në Rafah, nga sulmet izraelite vriten 35 persona

27.05.2024 09:22

Punëtorët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 35 persona...

Punëtorët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 35 persona, si dhe kanë goditur tendat e personave të zhvendosur në qytetin jugor Rafah. Shumë persona tjerë është raportuar të jenë përballur me flakët e zjarrit.

Sulmi ajror është realizuar disa orë pasi Hamasi ka thënë se ka nisur një mori raketash prej Gazës deri në Tel Aviv të Izraelit, si shenjë qëndrese pas më shumë se shtatë muajve, prej kur ka nisur ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit. Izraeli nuk ka raportuar për ndonjë viktimë apo dëm nga raketat e Hamasit dhe ka thënë se disa prej tyre janë kapur dhe shkatërruar në ajër. Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka lënë të vrarë rreth 36.000 palestinezë. Izraeli e fajëson Hamasin, me arsyetimin se po operon në zona të banueshme. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu beson se Izraeli duhet të marrë kontrollin e Rafahut për të eliminuar batalionet e mbetura të Hamasit dhe që të arrijë “fitore të plotë” ndaj militantëve, të cilët së fundi janë rigrupuar në pjesë tjera të Gazës.