Maqedoni

Të shtëna me armë në rrugën e plastikave, një i vdekur dhe dy të plagosur

27.05.2024 09:34

Një person ka ndërruar jetë dhe dy persona janë plagosur në një përleshje të ndodhur mbrëmë në rrugën e Plastikave në Shkup...

Një person ka ndërruar jetë dhe dy persona janë plagosur në një përleshje të ndodhur mbrëmë në rrugën e Plastikave në Shkup. Bëhet fjalë për personat O. B. dhe A.I. nga Shkupi, edhe pse MPB-ja ende nuk ka dalë me inicialet e personave, mirëpo ngjarjen e ka konfirmuar Prokuroria.  Po ndërmerren masa për gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e rastit, thonë nga MPB-ja duke shtuar se sulmuesit janë në arrati. 
 
Në orën 00:45 nga Qendra Urgjente është raportuar se personi A.I., përndryshe këngëtar i njohur në rajonin e Shkupit, ka ndërruar jetë. Prokuroria Publike e ka konfirmuar rastin dhe njoftoi se janë kryer hetime në vendin e ngjarjes dhe është lëshuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve. 
 
“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, së bashku me ekipet hetuese të MPB-së, gjatë natës kanë kryer hetim në bulevardin “Nikolla Karev”, ku nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vrarë një person, ndërsa dy të tjerë janë plagosur. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve të marra nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë duke u ndërmarrë veprime të tjera. Ministria e Punëve të Brendshme po punon për zbulimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.