Maqedoni

Kuvend, të martën mbahet seanca konstituive

27.05.2024 10:15

Kuvendi ka caktuar për të martën seancën konstituive në të cilën do të verifikohen mandatet...

Kuvendi ka caktuar për të martën seancën konstituive në të cilën do të verifikohen mandatet e përbërjes së re parlamentare. Seanca konstituive, sipas Rregullores do të kryesohet nga deputetja më e vjetër, ndërsa në përbërjen e sapozgjedhur do të jetë deputetja, Merita Kollçi Koxhaxhiku. 
 
Seanca e parë e deputetëve të sapozgjedhur mund të zgjasë deri në tri ditë, pas së cilës zgjidhet kryetari i Kuvendit. Në këtë mënyrë nxirret shumica e re në Parlament, e cila kërkon 61 deputetë nga gjithsej 120 mandate deputetësh. Në karriget e deputeteve do të ulen 120 përfaqësuesit e popullit që kanë fituar mandatin në zgjedhjet parlamentare dhe kanë marrë certifikatat nga KShZ-ja. 
 
Pas rivotimit të disa vendvotimeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja do të ketë 58 deputetë; LSDM-ja - 18 mandate; koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja - 18 mandate dhe koalicioni VLEN - 14 deputetë. “E di” dhe “E Majta” kanë nga 6 mandate parlamentare. 
 
Në kuadër të seancës parashihet të ketë edhe diskutime pas kundërshtimet e BDI-së për vendvotimin në Zhelinë. Për zgjedhjet parlamentare, Maqedonia është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe nga secila prej tyre hyjnë 20 deputetë, ku sipas të ashtuquajturit modelit të Dontit, përllogaritet se cila parti sa mandate deputetësh do të marrë.
 
FLUTURA LATIFI