Botë
Mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s, vendoset për avancimin e statusit të Kosovës
27.05.2024 11:01
Kosova sot është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të saj në këtë organizatë...

Kosova sot është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të saj në këtë organizatë.
Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate. Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës.
Kosova përfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Halit, të cilët janë shprehur optimistë se epilogu do të jetë pozitiv. Ndërsa delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar. Në njoftimin e Parlamentit serb u tha se dhënia e një statusi i tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel. Serbia po ashtu akuzoi Kosovën se po refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe, sipas Beogradit, 11 vjet pas marrëveshjes së arritur nuk po e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
