Maqedoni

Përleshje me armë zjarri në Shkup, humbi jetën një 29 vjeçar, plagosen dy të tjerë

27.05.2024 14:07

Këngëtari Amar Ismani ka mbetur i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit në “Rrugën e Plastikave”....

Këngëtari Amar Ismani ka mbetur i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit në “Rrugën e Plastikave”, që ka ndodhur pas mesnatës së mbrëmshme. 29-vjeçari, Ismani, u qëllua me armë zjarri dhe u transferua në spital, por mjekët nuk arritën t'i shpëtonin jetën. 
 
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht në këtë rrugë, e cila njihet si “Rruga e Plastikave” në Shkup. Ngjarja ka filluar si një përleshje masive mes disa të rinjve, ku më pas janë shkëmbyer të shtëna me armë zjarri. Organet po veprojnë në zbardhje të plotë të rastit. 
 
Prokuroria Themelore Publike në Shkup, së bashku me ekipet hetuese të MPB-së, gjatë natës kanë kryer hetim në bulevardin “Nikolla Karev”. Me këtë rast, prokurori publik ka lëshuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve të marra nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera. Sulmuesit janë në arrati. Nga MPB-ja thonë se po punojnë në zbulimin e autorëve. Nga shkëmbimi i zjarrit u plagosën dy persona të tjerë, të cilët në spital iu nënshtruan një operacioni dhe u riparuan plagët e tyre.
 
“Më datë 26.05.2024 rreth orës 23:40 në SPB Shkup është raportuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në bulevardin “Nikola Karev” në Shkup. Në ora 23:45 nga Spitali i Përgjithshëm i qytetit “Shën Naum i Ohrit” është njoftuar se me plagë nga arma e zjarrit është sjellë T.A. (24) nga Shkupi. Në orën 23:51, nga kompleksi i Klinikës “Nënë Tereza” është raportuar se me plagë me armë zjarri janë sjellë O.B. (19) dhe A.I. (29), ku pas ndihmës së dhënë, në orën 00:45 më 27.05.2024, A.I. ka ndërruar jetë. Po ndërmerren masa për gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e rastit.”, thuhet në njoftimin e MPB-së. 
 
Përndryshe ende nuk dihet motivi i zënkës që rezultoi me vrasjen e 29 vjeçarit, Ismani. 
 
ERSAN PAJAZITI