Botë
Asambleja Parlamentare e NATO-s, Kosova merr statusin e anëtares së asocuar
27.05.2024 14:41
Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës...

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar. Vendimi u morr në takimin e Asamblesë në Sofje të Bullgarisë, me një votë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar. Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, ka deklaruar ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Nga tani, Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s. Me këtë vendim, Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, gjë që sigurisht se do të ndikojë në stabilizimin e Ballkanit.”, ka theksuar ministri, Maqedonci.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, duke mirëpritur vendimin ka theksuar se NATO-ja është fati i Kosovës.
“Mirënjohës për të gjithë anëtarët që votuan në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në atë të një anëtari të asocuar. NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në tokë të dëgjohet.”, ka thënë Osmani në platformën “X”.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare. Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta pa të drejtë vote. Aktualisht janë nëntë anëtare të asocuara, në mesin e të cilave edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
GYLTENE SINANI
