Botë
Konflikti Izrael – Palestinë, Borrell: Palët nuk respektojnë të drejtën ndërkombëtare
27.05.2024 16:56
Të paktën 35 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore izraelite...

Të paktën 35 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore izraelite, të cilat goditën tendat e zhvendosurve në qytetin jugor të Gazës, Rafah, kanë njoftuar punonjësit shëndetësorë palestinezë. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se gratë dhe fëmijët përbëjnë shumicën e të vrarëve dhe dhjetëra të plagosurve nga ky sulm. Forcat mbrojtëse të Izraelit kanë vërtetuar se kanë kryer sulm ajror si kundërpërgjigje ndaj raketave të fundit, të cilat i ka lëshuar Hamasi drejt Izraelit, por edhe për moslirimin e pengjeve. Ndryshe, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi të premten Izraelin të përfundojë menjëherë operacionin ushtarak në Rafah, por një gjë e tillë nuk po respektohet, thotë kreu i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Borrell.
“Izraeli vazhdon aksionin ushtarak për të cilin iu kërkua të ndalonte. Gjithashtu, Hamasi lëshon raketa kundër Izraelit. Pra, të dyja palët nuk e respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Sot, në mëngjes, për fat të keq, më shumë se 30 persona janë vrarë në një kamp refugjatësh. Dilema është se si komuniteti ndërkombëtar mund ta zbatojë vendimin e drejtësisë penale ndërkombëtare.”, - deklaroi kreu i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell.
Irlanda, Norvegjia dhe Spanja do ta njohin Palestinën
Përfaqësuesit e 38 vendeve, nga takimi në Bruksel, i organizuar nga ministrat e punëve të jashtme të BE-së, kërkuan një armëpushim të menjëhershëm në Lindjen e Mesme dhe një zgjidhje për dy shtete.
“Në një pjesë të madhe të botës ekziston një perceptim i standardeve të dyfishta se rregullat zbatohen për disa, por jo për të gjithë. Mendoj se kritika bazohet në realitet dhe e kuptoj pse u krijua ai perceptim që cenon besueshmërinë e sistemit juridik ndërkombëtar.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Bart Eide.
“Si lojtarë të përgjegjshëm globalë, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja gjithmonë do të përpiqen të promovojnë diplomacinë mbi dhunën.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Irlandës, Michael Martin.
“Ne ndajmë vizionin se ka ardhur koha për të bërë zgjidhjen efektive për dy shtete në të cilën ne besojmë, ashtu si edhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar.”, - theksoi ministri i Punëve Të Jashtme të Spanjës, Hose Manuel Albarez.
Nesër, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja do të nënshkruajnë zyrtarisht njohjen e shtetit Palestinez.
GAZMEND KURTISHI
