Botë

Takim urgjent në KB pas sulmit në Rafah

28.05.2024 11:21

Takim urgjent po mbahet pas dyerve të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas sulmit izraelit në Rafah...

Takim urgjent po mbahet pas dyerve të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas sulmit izraelit në Rafah, që vrau dhjetëra civilë. Netanjahu pranoi se ishte bërë një gabim tragjik dhe njoftoi një hetim të plotë për rastin.

“Ne jemi duke e hetuar rastin dhe do të paraqesim përfundimet. Për ne kjo është një tragjedi, për Hamasin një strategji.”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Për Hamasin, Uashingtoni është fajtor për masakrën në qytetin jugor. Administrata amerikane dhe presidenti i saj Bajden janë personalisht dhe plotësisht përgjegjës për këtë masakër të tmerrshme në Rafah dhe për të gjitha krimet në Rripin e Gazës.
 
"Kjo është për shkak të ofrimit të vazhdueshëm të mbulimit politik dhe ushtarak për okupimin dhe furnizimin e vazhdueshëm të armëve që vrasin dhjetëra, nëse jo qindra, fëmijë, gra dhe civilë çdo ditë.", tha zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan. 
 
Hamdan mohoi pretendimet e Tel Avivit se persona të armatosur të Hamasit ishin objektivat e sulmit në Rafah. Dënimet dhe reagimet e komunitetit ndërkombëtar nuk shuhen. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres, bën thirrje për një fund të menjëhershëm të "tmerrit". Zgjidhja me dy shtete mbetet lartë në agjendën e Brukselit dhe vendeve arabe si hapi i vetëm në stabilizimin e rajonit dhe arritjen e paqes së qëndrueshme. Që nga sot, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës.