Botë

Vazhdojnë bombardimet mbi Rafah, mbi 50 të vrarë dhe rreth 300 të plagosur

28.05.2024 15:05

Nga bombardimet izraelite në kampin e refugjatëve në Rafah të Rripit të Gazës janë vrarë mbi 50 palestinezë...

Nga bombardimet izraelite në kampin e refugjatëve në Rafah të Rripit të Gazës janë vrarë mbi 50 palestinezë, ndërsa janë plagosur mbi 300 të tjerë. Pamjet tregojnë tenda të shkatërruara plotësisht dhe trupa fëmijësh nëpër tokë. Sulmi nga forcat izraelite erdhi pasi GJND-ja nxori masa të përkohshme duke urdhëruar Izraelin të ndalonte menjëherë ofensivën e tij në Rafah. Ndërsa presioni ndërkombëtar rritet, bashkë me këtë rritet edhe numri i civilëve të vrarë.
 
“Dola dhe pashë viktima në tokë. Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar.”, - tha një banor i Gazës.
 
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënoi sulmin e Izraelit kundër palestinezëve të zhvendosur në kampin Rafah, duke bërë thirrje për t'i dhënë fund “tmerrit”. "Unë dënoj veprimet e Izraelit që vranë shumë civilë të pafajshëm që kërkonin vetëm strehim nga ky konflikt vdekjeprurës.", shkroi Guterres, në një postim në platformën X, duke theksuar se "ky tmerr duhet të ndalet". Edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e dënoi sulmin në Rafah.
 
“Kjo masakër e ndodhur pas thirrjes së GJND-së për të ndalur sulmet, ekspozoi edhe njëherë fytyrën e përgjakshme dhe tradhtare të atij shteti terrorist. Për shkak se Netanjahu dhe rrjeti i tij vrasës nuk mund të thyejnë rezistencën heroike të popullit palestinez, ai ngec gjithnjë e më shumë në vendin e tij dhe kështu përpiqet të zgjasë jetën e tij politike duke derdhur më shumë gjak.”, - deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Ndërkohë që Izraeli vazhdon bombardimet, Spanja siç paralajmëroi ditë më parë, të martën zyrtarisht e njohu Palestinën si shtet të pavarur.
 
“Njohja e shtetit të Palestinës nuk është vetëm një çështje e drejtësisë historike me aspiratat legjitime të popullit palestinez, por është gjithashtu një nevojë imperative për të arritur paqen. Shteti i Palestinës duhet të jetë i qëndrueshëm, me Bregun Perëndimor dhe Gazën, të lidhur me një korridor dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe duhet të bashkohet nën qeverinë legjitime të autoritetit kombëtar palestinez.”, - theksoi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.
 
Vrasjet e civilëve në Rripin e Gazës kanë ngjallur indinjatë në të gjithë botën. Protestat studentore kanë vazhduar nëpër shumë universitete të ShBA-së, por edhe në vende të ndryshme të Evropës, që t’u jepet fund bombardimeve mbi civilët. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU