Botë
Lufta në Ukrainë, vendet e BE-së ndihmojnë me armatim Ukrainën
28.05.2024 15:51
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, e ka nënshkruar një marrëveshje të sigurisë me kryeministrin e Belgjikës, Aleksander De Kro në Bruksel....

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, e ka nënshkruar një marrëveshje të sigurisë me kryeministrin e Belgjikës, Aleksander De Kro në Bruksel. Zelenski tha se marrëveshja në vlerë të 977 milionë dollarëve tregon për përkushtimin e Belgjikës për t’i ofruar mbështetje Ukrainës në periudhë 10-vjeçare.
“Rusia po përpiqet të zgjerojë dhe zgjasë luftën, ne kemi nevojë për hapa më konkretë që të jetë e mundur për të sjellë paqen më afër, para së gjithash, ne kemi një fiksim të qartë për furnizimin me avionë luftarakë në Ukrainë. Ne kemi fiksuar në marrëveshje avionët F-16 që mund të marrë Ukraina nga belgët, 30 avionë dhe detyra jonë është të sigurohemi që këtë vit të kemi mundësinë e përdorimit të avionëve të parë F-16 në Ukrainë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Me këtë marrëveshje, ne e bëjmë të qartë se do të vazhdojmë ta ndihmojmë. Vetëm për këtë vit, mbështetja jonë ushtarake shkon tashmë në më shumë se 1 miliard euro që kemi dhënë. Marrëveshja aktuale ofron mundësinë për t'i siguruar Ukrainës pajisjet e nevojshme ushtarake moderne, si dhe mbështetjen nga industria jonë e mbrojtjes.”, - theksoi kryeministri belg, Aleksander De Kro.
Është shumë me rëndësi sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen, sepse sipas saj, lufta në Ukrainë rrezikon të gjitha shtetet e Evropës.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës është një interes sigurie i të gjithë evropianëve. Populli i Ukrainës po mbron vendin e tij dhe sigurinë tonë. Një paqe e drejtë dhe e vazhdueshme mund të bazohet vetëm në ligjin ndërkombëtar dhe garanci të forta të sigurisë shtetërore për ukrainasit dhe ne duhet të japim kontributin tonë për këtë.”, - u shpreh presidentja e KE-së, Ursula Von Der Lejen.
Aktualisht BE-ja po shqyrton heqjen e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina për sulmet ndaj Rusisë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
