Maqedoni

Formimi i Qeverisë së re, marrëveshja, drejt finalizimit

28.05.2024 16:11

Po finalizohet marrëveshja për formimin e Qeverisë së re....

Po finalizohet marrëveshja për formimin e Qeverisë së re. VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe "E di" deri në fund të kësaj jave pritet t’i përfundojnë bisedimet dhe të bëhet ndarja përfundimtare e ministrive edhe e eshalonëve të tjera. Nga VLEN-i theksojnë së në periudhën e ardhshme do të punojnë në ndarjen e pozitave.
 
"Grupet e punës vazhdojnë intensivisht negociatat deri në finalizimin e kontratës për eshalonin e dytë dhe të tretë. Shumë shpejt si shtet do të kemi një qeveri me orientim evropian, e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik, investimeve dhe përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve.", - kumtojnë nga VLEN-i.
 
Kuadro të VMRO-DPMNE-së do të udhëheqin me 11 ministri, bëjnë të ditur nga kjo parti. Në duar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia yte” mbeten Ministria e Punëve të Brendshme, Financat, Transport dhe Lidhje, Arsim, Kulturë, Ministria për Punë të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Vetëqeverisje lokale, Mbrojtje, Energjetikë, Sistem politik etj. Krerët e koalicionit shqiptar VLEN do të jenë pjesë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, përpos kryetarit të Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, që do t’i kthehet detyrës së kryetarit të komunës së Tetovës. VLEN-i në Qeverinë e re merr dy zëvendëskryeministra, ministrin e Mjedisit, Shëndetësisë, Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ekonomisë dhe Punës dhe sektorit të Integrimit Evropian. Afrim Gashi merr pozitën e kryetarit të Kuvendit; kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, pritet që të jetë ministër i Shëndetësisë, duke lënë detyrën e të parit të komunës. Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, pritet të jetë në postin e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë.
 
Edhe pse flitet që Lëvizja “E di” e Maksim Dimitrievskit në Qeverinë e re të ketë dy ministra, atë për Drejtësi dhe Ministrinë e re të Administratës. Dimitrievski thotë se ende nuk është arritur marrëveshje për zgjidhje kadrovike.
 
“Nuk kemi marrëveshje për zgjidhje kadrovike, akoma bisedojmë në platforma. Për ne në plan të dytë janë parimisht ndarja e pushtetit  dhe pozitat ministrore, gjithçka që nënkupton përgjegjësi. Në plan të parë është e gjithë ajo qe e kemi premtuar në periudhën parazgjedhore para qytetarëve dhe në bazë të parimeve themelore që trasuam do të vazhdojmë të ecim.”, - theksoi Maksim Dimitrievski nga lëvizja "Edi". 
 
Parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për Qeverinë e ardhshme, për të cilat palët u dakorduan, janë avancimi i integrimit evropian, inkurajimi i zhvillimit të përshpejtuar ekonomik dhe intensifikimi i përpjekjeve për të luftuar krimin dhe korrupsionin, duke respektuar sundimin e ligjit.
 
FLORIJE KAMBERI