Maqedoni
Seanca konstitutive e Kuvendit, Afrim Gashi u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit
28.05.2024 16:30
Me 76 vota “pro”, 6 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, Afrim Gashi...

Me 76 vota “pro”, 6 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, Afrim Gashi nga koalicioni VLEN edhe zyrtarisht është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit, në përbërjen e njëmbëdhjetë të Kuvendit, ky ishte epilogu përfundimtar i seancës së sotme konstituive, ku morën pjesë 118 deputetët e rinj, të cilëve i është verifikuar mandati.
Kryetari i ri i Kuvendit, në fjalimin e tij para deputetëve theksoi domosdoshmërinë e kohës që me punë dhe përkushtim ta kthejnë besimin e qytetarëve tek institucionet.
“Prej sot unë jam zgjedhur kryetar i Kuvendit dhe do të bëjmë çmos që këtë tempull të demokracisë ta kultivojmë e ta ruajmë dhe të jetë në shërbim të të gjitha partive politike e të gjithë qytetarëve, dhe t’u shërbejmë atyre në mënyrë më të mirë të mundshme.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Por deri në zgjedhjet e kryetarit të ri, e gjithë seanca kaloi në një atmosferë të tensionuar, edhe atë pikërisht për shkakun e kundërshtimeve të vazhdueshme të partisë “E Majta”, e cila kundërshtoi zgjedhjen e Afrim Gashit për kryetar të ri të Kuvendit. Sipas këtyre të fundit, VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i po e shqiptarizojnë Kuvendin, dhe tani në vend të platformës së Tiranës, këto parti po e sjellin platformën e Kosovës.
“Sot kemi tregim të qartë se VMRO-DPMNE-ja e fuqishme, më së shumti do të thotë Alternativë e fuqishme. Pse nënkupton Alternativë e fuqishme? Për arsye se duhet të përkujtojmë se kjo parti e cila në një moment ishte shërbëtore e LSDM-së, pikërisht që LSDM-ja, ajo që e përzuri nga shumica qeveritare që ta zëvendësojë me Aleancën. Dhe, një parti e këtillë të cilën e përzuri LSDM-ja, tash VMRO-DPMNE-ja dëshiron ta kurorëzojë.”, - theksoi deputeti i partisë “E Majta”, Amar Mecinovic.
Por, 75 deputetët të cilët e nominuan Afrim Gashin për deputet, theksuan se i njëjti është figura më e qëlluar politike, sepse gjatë të kaluarës, nuk ka asnjë njollë të zezë për figurën e Gashit.
“Deputeti Afrim Gashi është si deputet tashmë e 8 vjet dhe kjo është hera e tretë që ai është mandatuar nga qytetarët. Kjo është një përvojë e mjaftueshme që ai të kryejë këtë detyrë me profesionalizëm, por edhe me etikë të lartë. E nëse me lejohet të shtoj një vlerësim, mbase edhe personal, Afrim Gashi është njëri ndër deputetët e paktë, madje edhe njëri prej politikanëve të rrallë që nuk është përmendur në asnjë rrethanë për asnjë temë që ka të bëjë me dukuritë e liga, siç është korrupsioni apo abuzimi me pushtetin.”, - u shpreh deputeti i VLEN-it, Izet Mexhiti.
Ndërsa mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski, ka theksuar se vitet në vazhdim do të jenë shumë të rëndësishme dhe do të jenë vite kur RMV-ja do të drejtohet fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Më vjen keq për ata që ndjekim kanalin e Kuvendit e që duhet të jenë dëshmitarë të sjelljes së shtëpisë, shtëpi e cila duhet të jetë e demokracisë dhe jo shtëpi ku disa njerëz do të përpiqen të shfaqin një shou, në të cilën vetes mund t’ia vënë një titull e më vonë në ca klipe në rrjetet sociale do të mundohen t’u devalvojnë juve deputetëve dhe qytetarëve. Vetëm dua t’i them disa gjëra, disa punë që e presin vendin. Maqedoninë e presin vite të reformave, zhvillimit, vite të sundimit të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe krimit dhe për fat të keq, herë pas here do të jeni dëshmitarë të këtyre lojërave, të cilët në mungesë të ideve të tjera do të lëndojnë dhe do të ulin. Për fat të keq, këta njerëz të njëjtë patën mundësi të radhiten pas politikave, pas së cilës u radhitën më shumë se gjysmë milion qytetarësh.”, - deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në përzgjedhjen e Afrim Gashit për kryetar të ri të Kuvendit, nuk morën pjesë deputetët e “Frontit Evropian”, të cilët kohë më parë lëshuan sallën e Kuvendit.
FITIM KRYEZIU
