Botë
Konjufca: U mbyllën bankat e paligjshme të Serbisë
29.05.2024 16:34
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell është duke e finalizuar raportin rreth hapave që ka marrë Kosova...

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell është duke e finalizuar raportin rreth hapave që ka marrë Kosova për heqjen e masave ndëshkuese të bllokut evropian. Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, raporti do të përfshijë edhe operacionet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, në veri të Republikës së Kosovës. Borelli duhet të theksojë në raport se bëhej fjalë për banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë, ka deklaruar kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
“Do të ishte mirë që kur zoti Borell ta shkruajë raportin, të thotë se këto institucione ishin banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë. Është mirë për t’ia dhënë definicionin se çka janë ato. Kështu ishin ato banka të Serbisë në Republikën e Kosovës, si të tilla unë nuk mendoj se janë të lejueshme dhe duhet të trajtohen ashtu siç e thotë ligji. Ligji thotë se ato duhet të mbyllen.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Vendet anëtare të BE-së kanë kërkuar javë më parë që Borelli të përpilojë një raport, për të kuptuar se çfarë ka bërë Kosova drejt përmbushjes së kushteve për t’ia hequr masat e vendosura. Shumica e vendeve anëtare kanë propozuar që masat të hiqen tërësisht, ndërsa disa shtete propozojnë që ato të hiqen gradualisht.
GYLTENE SINANI
