Botë
Vazhdojnë bombardimet izraelite në Gazë, dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur
29.05.2024 16:58
Vazhdojnë sulmet ajrore të avionëve luftarakë izraelitë në qytetin Kan Junis...

Vazhdojnë sulmet ajrore të avionëve luftarakë izraelitë në qytetin Kan Junis. Dhjetëra palestinezë, mes tyre gra edhe fëmijë, janë vrarë, qindra të tjerë janë plagosur, njoftojnë autoritetet në Gazë. Pamjet tregojnë tenda të djegura, njerëz që mbledhin ushqim nëpër mbetjet e djegura në kampin e refugjatëve në Rafah pas sulmit vdekjeprurës.
“Djali im po bërtiste: “Nënë, Nënë!”. Ai ishte në gjumë gjatë granatimeve dhe ishte errësirë brenda çadrës, fatmirësisht ne shpëtuam. Pastaj erdhi mbrojtja civile për të mbledhur trupat e djegur. Kur u afrova për të parë se çfarë ndodhi, trupat ishin kudo dhe fëmijët ishin të tmerruar duke ikur nga çadrat.”, - tha banorja e Gazës, Aja.
“Çfarë bëmë për ta merituar këtë? A nuk kemi të drejtë të jetojmë? Ata na thanë se kjo zonë ishte e sigurt, por ishte në shënjestër. Tani duhet të largohemi dhe nuk dimë ku të shkojmë.”, - u shpreh banorja e Gazës, Sarah.
“Papritur vendi mori flakë dhe njerëzit po bërtisnin dhe iknin. Fëmijët bërtisnin dhe qanin, duke thënë: "Do të na bombardojnë përsëri, do të na bombardojnë përsëri!”. Pse duhet të vdesin njerëzit e pafajshëm? Çfarë bënë ata për ta merituar këtë?”, - tha banorja e Gazës, Nuha.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ka kërkuar Izraelit të ndërpresë menjëherë sulmet në Rafah në Rripin jugor të Gazës.
“Problemi është se operacioni ushtarak është kryer në atë mënyrë që numri i viktimave civilë dhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe banesave civile janë të paprecedentë, me nivele të shkatërrimit që janë absolutisht të papranueshme.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Edhe sekretari i përgjithshëm ka dënuar në termat më të ashpër sulmet ajrore nga Forcat e Mbrojtjes izraelite në Rafah.
“Shkatërrimi dhe mjerimi i shtatë muajve të fundit kanë përforcuar nevojën absolute që izraelitët, palestinezët, shtetet e rajonit dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar të ndërmarrin hapa urgjent që do t'u mundësojnë palëve të riangazhohen në politikën e vonuar prej kohësh dhe rrugën për të arritur një zgjidhje me dy shtete.”, - theksoi zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm, Kombet e Bashkuara, Stefane Dujarric.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, nuk e ka në plan të dëgjojë thirrjet e ndërkombëtarëve.
"Jam këtu me ushtarët e Brigadës Golani dhe Patrullës Golani. Ky angazhim është një nga qëllimet e luftës, ne nuk po heqim dorë. Dua t'ju them se jam këtu me ju, ju dëgjoj, shoh vendosmërinë tuaj, shihni zjarrin në sytë tuaj, do t'u thosha qytetarëve të Izraelit: Ky është muri i hekurt i shtetit të Izraelit. Së bashku me këta luftëtarë të mrekullueshëm dhe miqtë e tyre do ta arrijmë edhe këtë qëllim.”, - u shpreh kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
Izraeli këmbëngul se nuk do të jetë në gjendje të arrijë fitoren në luftën e tij shtatëmujore kundër Hamasit në Gazë pa marrë Rafahun dhe ka hedhur poshtë paralajmërimet për pasoja katastrofike humanitare.
FARIJE DAUTI BAKIJU
