Botë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë: idetë ekstremiste rrjedhin nga Egjipti

14.04.2015 16:06

232 kosovarë kanë shkuar si luftëtarë të huaj për të luftuar në të ashtuquajturën “tokë e shenjtë” në Siri dhe Irak...

Kështu konstaton një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, sipas të cilit,  Egjipti është vendi i prejardhjes dhe burimi kryesor i ideologjisë së tekfirizmit në Kosovë dhe vendet e rajonit. 
 
“Raporti po ashtu gjen edhe ide ekstremiste, apo ndikimet e jashtme dhe kushtet nga jashtë, që kanë shkaktuar hyrjen e ideve ekstremiste brenda Kosovës dhe në të gjitha vendet e rajonit dhe të perëndimit, këto ide rrjedhin nga Egjipti”- deklaroi autori i raportit, Shpend Kursani.
 
Interneti, e më së shumti Youtube, janë parë rrugët kyçe tek të cilat po ndikohen adoleshentët kosovarë, ka thënë Kursani, i cili propozon shtimin e sa më shumë videove vetëdijësuese nga universiteti publik.
 
“Shpjegimet alternative të ekstremizmit dominojnë në internet. Janë hequr shumë video, por këta i kodojnë dhe ato prapë rrinë gjallë. Dhe, nëse e lëmë vetëm tek bllokimi nuk do të ketë sukses. Mendoj se universiteti publik duhet ta bëjë një program të veçantë ku ligjëratat e profesorëve kredibil të plasohen për çfarëdo shpjegimesh në internet”- tha Kursani.
 
Shumica nga ata që kanë marrë këtë rrugë janë identifikuar si persona që kanë kryer vetëm shkollën fillore apo edhe të mesmen, ndërsa ata me fakultete kryesisht janë imamë, thotë Kursani.
 
Nga më shumë se 20 mijë militantë, që luftojnë në Siri dhe Irak, rreth 4 mijë prej tyre vijnë nga Perëndimi, përfshirë shtetet e BE-së, SHBA-të, Rusinë dhe Turqinë.
 
Në mesin e 22 shteteve joarabe, Kosova është vendi i tetë në renditje, ndërsa Rusia prin e para në listë me 1 mijë e 500 raste të konfirmuara, e ndjekur nga Franca me 1 mijë e 200 raste.
 
Turqia është në vendin e fundit edhe pse kufizohet me ISIS-in. Por, kjo, sipas Shpend Kursanit, është kështu, pasi që në Turqi ka shumë xhami dhe ato janë të kontrolluara nga shteti.
 
GYLTENE SINANI