Ekonomi
Forumi për efikasitet energjetik dhe ushqimor: Si të arrihet stabiliteti i energjisë dhe ushqimit?
30.05.2024 14:28
Kriza energjetike, faktor kryesor për rritje të çmimeve në industrinë ushqimore...
Kriza energjetike, faktor kryesor për rritje të çmimeve në industrinë ushqimore, njëkohësisht mungesa e investimeve në burime të ripërtërishme dhe varësia nga prodhimi i energjisë elektrike me thëngjill, bën që kjo krizë të stërzgjatet. Në forumin për efikasitetin energjetik dhe ushqimor është konstatuar që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë në burime të ripërtërishme të energjisë elektrike, të shfrytëzohen burimet natyrore dhe të krijohet pavarësia energjetike.
“Rezultatet tregojnë se kriza energjetike seriozisht ka ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore që ishte dhe paralajmërim, por Evropa u godit në mënyrë të theksuar. Përpos që ne jemi të varur nga importi i derivateve dhe energjisë elektrike, problem shtesë ishte dhe mungesa e shfrytëzimit efikas i energjisë elektrike.”, - deklaroi ekonomistja, Bllagica Petreska.
“Mund të them se rajoni i Ballkanit Perëndimor, sektorin energjetik e bazon në thëngjill, që pas vete bartë shpenzime të mëdha, pasi që kapacitetet që punojnë me thëngjill janë vjetruar dhe duhet të riparohen dhe ka shpenzime të mëdha për t’i mirëmbajtur, andaj duhet që këtë proces të transformimit nga thëngjilli në energji të ripërtërishme ta bëjmë sa më shpejtë.”, - theksoi ekonomistja, Kori Udovicki.
“E kemi ruajtur efikasitetin energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe rreziqet që i kishim të pranishme në vitin 2021-2022, që e kishim dhe për obligim që t’i zbusim këto rreziqe, për të mos ndikuar në rritje të çmimeve. Mund të themi se vendet e Ballkanit perëndimor janë përkushtuar në investime të energjisë së ripërtërishme, por ato po fokusohen në sektorin publik dhe jo si në Evropë ku janë të fokusuar në sektorin privat.”, - u shpreh ekonomisti, Blendi Hasani.
Vendi ynë shpenzon 3 herë më shumë mjete financiare për të prodhuar energji elektrike në krahasim me vendet evropiane. 3.2 përqind e buxhetit shtetëror shpenzohet për të zbutur çmimet e larta të energjisë elektrike nëpërmjet formave të subvencionimit të energjisë për qytetarët dhe kompanitë.
GAZMEND REXHEPI