Analistët rreth bisedimeve në Bruksel: S’ka kapacitete vendore për dalje nga kriza
Nën dyer të mbyllura, nesër në Bruksel vazhdojnë bisedimet midis LSDM-së dhe VMRO–DPMNE-së në kërkim të gjetjes së zgjidhjes për dalje nga kriza politike në Maqedoni...

Në emër të opozitës do të negociojnë Radmilla Sheqerinska, Renata Deskovska, si dhe Viktor Gaber. Partinë në pushtet do ta përfaqësojnë ministrat, Nikolla Popovski e Nikolla Todorov dhe deputeti, Ilija Dimovski.
Ndërmjetësues të dialogut do të jetë po e njëjta përbërje nga takimi i parë, treshja parlamentare evropiane: Riçard Houit, Ivo Vajgëll dhe Edvard Kukan. Jozyrtarisht nga takimi i parë u fol se negociatat e prillit pritet të sjellin një marrëveshje konkrete e cila do t’ia hapte rrugën dialogut politik. Por, analizat politike flasin se afrimi i qëndrimeve vihet në pikëpyetje si pasojë e mungesës së kapaciteteve vendore për debllokim të procesit.
“Zgjidhja do të varet nga ajo se sa partitë politike janë të gatshme për kompromise dhe sa janë të vetëdijshme për dëmin që i bëhet shoqërisë me thellimin e mosbesimit në institucione”- deklaroi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Sipas Mehmetit, që marrëveshja eventuale të jetë e zbatueshme në praktikë do të duhet të zgjerohet rrethi i palëve negociuese. Përpos përfshirjes së faktorit politik shqiptar kërkohet kyçja edhe e sektorit civil dhe e mediave.
“Është me rëndësi që të ketë edhe pjesëmarrje të partive tjera edhe të partive shqiptare, shoqëria civile, mediat, d.m.th. të shihet se si të dilet nga kjo krizë e thellë, e cila ka të bëjë me humbjen e besimit në sistemin dhe në elitat politike”- tha Mehmeti.
Takimi i parë midis përfaqësuesve të LSDM-së dhe VMRO- DPMNE-së në Bruksel u mbajt para dy jave.
Eurodeputetët i takuan ndaras anëtarët e LSDM-së dhe më pas ata të pushtetit. Nga ky takim nuk u përafruan qëndrimet. VMRO kërkon kthimin e LSDM-së në kuvend, ku edhe do të zhvillohej beteja politike.
Për LSDM–në kthimi i saj në kuvend do të ndodhë vetëm kur VMRO do të mbart përgjegjësi mbi “bombat” e publikuara. (Meral Ismaili, TVM2)
