“Bomba” e XX, gjithçka është parti, nuk ka institucione shtetërore

14.04.2015 17:12

“Bomba” e 20 e publikuar nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, prezanton interesat vetjake të kryeministrit, Nikolla Gruevski, drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkovit dhe disa bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët sipas socialdemokratëve kanë formuar mekanizëm të korruptuar për të mbajtur pushtetin...

Nga bisedat e përgjuara, Zaev tha se del në sipërfaqe presioni, largimi nga puna dhe hakmarrja e pushtetit nëpër të gjitha eshalonët e shtetit ku kanë hasur në kundërshtime.

Edhe në “bombën” e 20 të LSDM-së nuk ka munguar zëri i ministres, Gordana Jankullovska. Në një bisedë të përgjuar numri një i MPB-së dëgjohet duke i thënë  Martin Protogjerit se e ka larguar kryetarin e sindikatës, sepse ai ka deklaruar se  udhëheqja i streson punëtorët.

Në një bisedë tjetër midis Gordana Jankulloskës dhe Sasho Mijalkovit, Jankullovska thotë se tash është koha që ta pastrohet terreni prej komunistëve.

Sipas LSDM-së, bisedat e përgjuara dëshmojnë se kryeministri Gruevski implikohet drejtpërdrejtë në punësimin e kuadrove partiake edhe në spitale. Gruevski, në bisedë me drejtorin e spitalit ushtarak kërkon që të punësojë kuadro të VMRO-DPMNE-së, ndërsa Sasho Mijallkov kërkon që të punësohen 1000 persona në MPB, ndërsa 100 prej tyre të jenë për DSK-në.

“Si mund që  të presim zgjidhje në sistemin gjyqësor të partizuar. Nuk është e mundur që të vjen deri te drejtësia dhe këtë sot mund të gjithë ta themi. Deri sa vëmendja e opinionit vendor dhe ndërkombëtar është i fokusuar në gjyqësorin e Maqedonisë, nga i cili kërkojnë transparencë. Gruevski i ka vendosur njerëzit e tij në gjyqësor dhe prokurori. Kjo le të jetë porosi për vendin dhe botën: kjo qeveri nuk guxon më të udhëheq me Maqedoninë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sipas Zaevit, në një bisedë tjetër dëgjohet Sasho Mijallkov se si kërkon nga ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska, informacione për gjykatësit që duhet të emërtohen. Jankullovska dhe Mijallkovi bisedojnë për Gordana Geshkovskën për ta emëruar në Prokurorinë Themelore–Shkup, e cila është e njohur për rastin “Monstra”| dhe televizion A1. Sa u përket bisedimeve në Bruksel, Zaev tha se këto negociata janë shans që të arrihet zgjidhje e krizës politike.  

“Edhe në luftërat më të fuqishme në fund gjithçka është arritur me negociata. Pse negociojmë? Negociojmë sepse nuk duam që të hapen forma tjera, sepse qytetarët kërkojnë, mllefi është i madh në Maqedoni. Ne jemi më ndryshe se ky pushtet. Ne do të japim gjithçka, që në rrugë të qetë të largohet kjo e keqe që e ka kapluar shtetin tonë. Duhet të kemi durim, përgjegjësinë e kemi të gjithë, e vërteta do të dalë në shesh”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sa i përket kohëzgjatjes së publikimit të “bombave”, kryetari i LSDM-së thotë se shpërthimi i “bombave” do të ndalojë në momentin që Gruevski do të largohet nga pushteti, e  kjo, sipas tij, do të ndodhë shumë shpejt. (Sanije Kasami, TVM2)