Botë

Izraeli pretendon se kontrollon zonën kufitare të Gazës me Egjiptin

30.05.2024 17:17

Ofensiva e Izraelit po intensifikohet edhe pse thirrjet e shumta për një armëpushim në Lindjen e Mesme vazhdojnë...

Ofensiva e Izraelit po intensifikohet edhe pse thirrjet e shumta për një armëpushim në Lindjen e Mesme vazhdojnë. Pavarësisht dënimit ndërkombëtar, forcat izraelite vazhduan sulmet e tyre në pjesë të ndryshme të enklavës së rrethuar.
 
“Po shohim një intensifikim të operacionit ushtarak. Ne duam një armëpushim humanitar, sepse është e nevojshme që civilët të ndihen të sigurt, të marrin ndihmën humanitare që u nevojitet, por edhe pengjet të lirohen.”, - deklaroi zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dukariq. 
 
Tel Avivi njoftoi se ata kishin marrë nën kontroll të gjithë rajonin përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin. Ushtarët izraelitë janë të vendosur në pjesën më të madhe të zonës së njohur si Korridori - "Filadelfia".
 
“Gjatë ditëve të fundit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë arritur kontroll taktik mbi korridorin kufitar midis Egjiptit dhe Rafahut. Forcat tona kanë vendosur përgjatë Korridorit dhjetëra sisteme të gatshëm për të gjuajtur raketa.”, - theksoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari. 
 
Shtëpia e Bardhë thotë se po punon për një propozim të ri që mund të sjellë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit. Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Izraelit paralajmëruan se një ofensivë e plotë në Rafah do të shkaktonte një katastrofë humanitare.
 
“Ka një propozim të ri që po punohet. Dhe mund t'ju them se izraelitët e mbështesin plotësisht këtë propozim të ri dhe si më parë, ata ishin të gatshëm ta trajtonin atë me mirëbesim. Nuk do të hyj në detaje.”, - u shpreh këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Kirbi. 
 
Numri i vendeve që kanë vendosur të njohin shtetin palestinez po rritet. Pas Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë, edhe Sllovenia do të njohë Palestinën. Presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjet për një shtet të pavarur palestinez dhe premtoi më shumë ndihmë humanitare për popullin e Gazës.
 
“Lufta nuk duhet të vazhdojë pafundësisht. Drejtësia nuk duhet të mungojë përgjithmonë. Angazhimi për zgjidhjen me dy shtete nuk duhet të lëkundet. Kina mbështet fort formimin e një shteti të pavarur. Ajo mbështet anëtarësimin e plotë të Palestinës në Kombet e Bashkuara dhe mbështet një konferencë ndërkombëtare paqeje më të gjerë, autoritative dhe efektive.”, - u shpreh presidenti i Kinës, Xi Jinping. 
 
Për shkak të aksionit ushtarak në Gazë, Huthit jemenas sulmuan gjashtë anije në tre dete: Detin e Kuq, Detin Arabik dhe Detin Mesdhe. Grupi militant pretendon se sulmet e tyre janë akte solidariteti me palestinezët.
 
FITORE DEMOLLI