Fillojnë masat e reja për punësim, ekspertët: Masat pozitive, por nuk do të ulin papunësinë

14.04.2015 17:35

Prej sot fillojnë punësimet e reja të paralajmëruara me Ligjin për Punësim, me të cilin parashikohet që afaristët të mos paguajnë kontributet personale për të punësuarit e ri...

Sipas masave të reja të qeverisë, të gjithë afaristët të cilët tani do të punësojnë persona deri më 35 vjeç, do të  jenë të liruar nga kontributet personale dhe taksat në periudhë prej 3 vitesh, ndërsa 5 vjet do të lirohen vetëm afaristët të cilët do të punësojnë persona që kanë qenë mbi 10 vjet pa punë dhe të cilët janë në moshë prej 35 deri më 50 vjeç.

Ekspertët e çështjeve ekonomike mirëpresin këtë risi, por janë të përmbajtur në vlerësimin se sa kjo mund të  ndikojë realisht në uljen e numrit të papunësuarve në vend.

“Për komunitetin e biznesit çdolloj mase, e cila ka për qëllim të lehtësojë punëdhënien, respektivisht nga ana tjetër tua bëjnë më të lehtë kompanive që të apsorvojnë fuqi të re punëtore, duhet të jenë të mirëseardhura dhe të përshëndeten të njëjtat. Përgjithësisht kam përshtypjen se nuk mund të presim ndonjë risi të madhe ose ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë i cili në masë të theksuar do të kontribuonte në numrin e përgjithshëm të papunësuarve në Maqedoni, sepse në këtë periudhë kompanitë më së tepërmi po ndeshen me nevojat e një tregu të lirë, treg stabil, ku do të mund të eksportojnë dhe plasojnë prodhimet e tyre, se sa me nevojën për kuadër të ri”- deklaroi eksperti ekonomik, Arben Halili.

Rreth 150 mijë persona i përmbushin kriteret e fundit të qeverisë për punësim. Sipas parashikimeve, për një vit pritet të punësohen rreth 20 mijë persona, por pavarësisht kësaj, Halili vlerëson se në këtë periudhë duhet të realizohen edhe trajnime të  kuadrove që janë pa punë, për të qenë sa më efikas. 

“Shteti duhet më së tepërmi të fokusohet në përgatitjen, respektivisht në ritrajnimin e  kuadrove, i cili më pas do të ishte në shërbim të nevojave të kompanive, sepse nuk janë vetëm masat të cilat kanë lehtësira financiare, por është e nevojshme në këtë periudhë shteti të bëjë trajnimin e kuadrit të lirë, i cili është i paraqitur në Entin e Punësimit, të shfrytëzojnë këtë periudhë për trajnimin e tyre dhe të njëjtat më pas të mund të shpërndahen nëpër kompanitë”- tha  Halili.

Masat e reja vlejnë edhe për ata që do të punësojnë kategori të rrezikuara, siç janë prindër që jetojnë vetë, familje prej tre ose më shumë fëmijë në shtëpi, fëmijë pa prindër, shfrytëzues të ndihmave sociale, ushtarë profesionistë që nuk punojnë më dhe personat me invaliditet. (Rexhep Qamili, TVM2)