Maqedoni
Zgjedhjet në Gjykatën Kushtetuese, dështojnë përpjekjet për të zgjedhur kryetarin
31.05.2024 14:37
Dy ditë radhazi dështoi procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese....

Dy ditë radhazi dështoi procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Në dy tentativat e reja të së premtes, gjyqtarët votuan për kandidatët e propozuar, por asnjëri nga ata nuk mori shumicën e nevojshme të votave. Seanca e sotme ishte vazhdim i së djeshmes në të cilën u provua katër herë përpjekja për të parin e kushtueses.
“Sot vazhdoi procedura për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykatësit dy herë votuan për kandidatët e propozuar, në të cilat asnjëri nuk e fitoi shumicën e nevojshme. Me pajtueshmëri të të gjithë gjykatësve u arrit dakordim, që seanca për zgjedhjen të vazhdojë të hënën më 3 qershor.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga shërbimi informativ i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas disa burimeve, dy kandidatët që luftojnë për udhëheqësinë e këtij organi juridik janë Ana Pavllovska Daneva dhe Tatjana Vasiq Bozaxhieva, e në dy ditët e votimit rezultati ka qenë 5 ndaj 4, situatë e pamjaftueshme votash për të ardhur deri tek posti i kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i ri e zëvendëson Dobrilla Kacarskën, mandati i së cilës kalon më 2 qershor. Për të zgjedhur të parin e Gjykatës Kushtetuese, vendi kërkon së paku votën e gjashtë gjyqtarëve, gjegjësisht sipas nenit 7 të Rregullores së Punës, kryetari zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me votim të fshehtë dhe me shumicë prej dy të tretave.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
