Kuvend, miratohet përbërja e re e Komisionit Antikorrupsion
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit as s’ka hapur dhe as s’ka mbyllur me sukses ndonjë rast korrupsioni ku është përfshirë ndonjë zyrtar i lartë...

Që ka pasur shumë punë për trupin, i cili duhet të jetë i pavarur dhe të luftojë korrupsionin, po dëshmojnë incidentet për korrupsion të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe publik, që dita-ditës po i zbulon opozita nga materiali i incizuar nga përgjimi në masë.
Por, fakti që nuk kemi asnjë rast suksesi për parandalimin e korrupsionit vë në dyshim pavarësinë dhe profesionalizmin e këtij trupi. Pas diplomatëve të huaj këtë shqetësim e ndajnë edhe disa deputetë.
“Në Maqedoni, Komisioni për Parandalim të Korrupsionit ka hetuar 228 raste të korrupsionit. Nga këto 228, vetëm shtatë i janë referuar prokurorisë, që në fakt është skandaloze. Këto janë 3%, në fakt 0. Dhe e dini se sa janë dënuar gjatë të gjitha këtyre viteve, nuk paskemi asnjë zyrtar të korruptuar?! Zero”- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
“Pyetem se çfarë bëri ky komision në përbërjen e kaluar?! A hapi ndonjë aferë? A mbylli ndonjë aferë të lidhur me veprimin korruptiv të pushtetit?! Pasi paratë i ka pushteti, mos të mashtrohemi”- tha deputetja, Sollza Gërceva.
Sipas Gërcevës, edhe në përbërjen e re të këtij komisioni, që është propozuar, janë njerëz partiakë. Mirëpo deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, njëkohësisht kryetar i Komisionit Kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërtimeve, Zoran Ilioski, thotë se komisioni është i pavarur, ose të paktën ata që e akuzojnë nuk e dëshmojnë varshmërinë me fakte.
“Asgjë konkrete nuk thatë, të paktën nuk treguat pse sipas jush ky komision nuk është i pavarur. Ajo që një pjesë e kandidatëve kanë punuar në shërbime shtetërore, sipas jush është dëshmi se është i varur?”- theksoi Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
Problemi me korrupsionin në Maqedoni u hap në seancën plenare, në të cilën me 58 vota për dhe tre kundër u miratua propozim-vendimi për emërtimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nga shtatë anëtarë gjithsej, vetëm dy mbeten nga përbërja e kaluar dhe atë dy anëtarët shqiptarë, Seidi Halili dhe Farije Aliu. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
