Maqedoni

Mexhiti: Vlen faktori legjitim që përfaqëson shqiptarët

02.06.2024 18:53

Lidhur me deklaratën e sotme të BDI-së dhe partnerëve të kualicionit...

 

Lidhur me deklaratën e sotme të BDI-së dhe partnerëve të koalicionit ka reaguar njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti.
 
Sipas Mexhitit, drama në regji të Ali Ahmetit që po shfaqet në Tetovë, është vetëm demonstrim frike nga humbja e privilegjeve me të cilat njëherë u pasuruan, e tani po përpiqen ta mbrojnë pasurinë e krijuar me paratë tona, derisa qytetari i thjeshtë mezi lidh fillimin me fundin e muajit.
 
E kuptoj dëshpërimin e tyre: 20 vite kanë jetuar në llogari të popullit dhe janë pasuruar me paratë e qytetarit! Qëllimin e kanë një: dëshprimisht të mbrojnë humbjen e pushtetit, kolltukët dhe bizneset e tyre familjare, qëllim i kamufluar me patriotizma e folklorizma.
 
“Ndryshimi erdhi! BDI-së dhe shoqërisë së tyre të biznesmenëve u ka skaduar afati i përdorimit.”, thekson Mexhiti. Ai shton se VLEN-i është faktori i ri legjitim, i cili do t'i përfaqësojë shqiptarët. Ne do ta çlirojmë sistemin nga kjo kastë e korruptuar dhe do të hapim mundësinë për njerëz të rinj, kompetent dhe me energji për t'i kontribuar kauzës tonë kombëtare, thekson Mexhiti, duke shtuar se askush të mos ketë dilema: “Përgjegjësi do të ketë! Ali Ahmeti me shokë s'e kanë fare dertin e legjitimitetit, se e dinë se që moti e kanë humbur atë. Çështja e vërtetë është se nuk e kanë më lotarinë, që ua solli Soravinë.”, thekson kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në reagimin e tij në rrjetet sociale.