Botë

Izraeli pranon planin për t’i dhënë fund luftës në Gazë

03.06.2024 11:11

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se Izraeli e ka pranuar një marrëveshje kornizë...

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se Izraeli e ka pranuar një marrëveshje kornizë për ndërprerjen e luftës në Gazë, e cila tani po çohet përpara nga presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, ndonëse sipas tij, ajo ka të meta dhe do ende punë.
 
Ophir Falk, këshilltar kryesor i Netanjahut për politikë të jashtme, tha se propozimi i Bajdenit është “një marrëveshje për të cilën ramë dakord nuk është një marrëveshje e mirë, por duam shumë që pengjet të lirohen, të gjithë prej tyre”.
 
Në fund të javës së kaluar, presidenti Bajden dha hollësi për planin me tri faza, i cili, siç theksoi, është një plan i Qeverisë së Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë. Faza e parë, tha ai, do të përfshinte armëpushimin dhe lirimin e një numri të personave që po mbahen peng. Faza e dytë, ndërkaq, do të përfshinte lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura gjallë dhe e treta tërheqjen e ushtarëve izraelitë nga Gaza. Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Bajden.
 
Fjalimi i Bajdenit përfshinte ide pozitive, por ne duam që propozimi të materializohet brenda kornizave të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila i plotëson edhe kërkesat tona.”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, për rrjetin Al Jazeera.
 
Hamasi kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, se do të tërhiqen të gjitha forcat izraelite, se do të ketë lëvizje të lirë për palestinezët dhe se do të ketë ndihma për rindërtimin e Gazës.