Maqedoni
Zgjedhjet brendapartiake në LSDM, Filipçe shpall kandidaturën për kryetar të LSDM-së, në garë edhe Despotovski dhe Petrovska
03.06.2024 15:10
Deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka njoftuar se do të kandidojë për kryetar të LSDM-së...

Deputeti dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka njoftuar se do të kandidojë për kryetar të LSDM-së. Filipçe tha se LSDM-ja aktualisht po kalon momentet më të vështira që nga themelimi i saj dhe se synimi i tij është ta rikthejë, reformojë dhe ngritë partinë në nivelin që meriton në katër vitet e ardhshme.
"Ne duhet të mësojmë nga e kaluara jonë, të heqim të gjitha të metat dhe të dalim më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë më parë. LSDM-ja gjithmonë ka qenë dhe mbetet shtyllë e demokracisë, drejtësisë dhe progresit. Një LSDM e fortë para së gjithash u duhet qytetarëve si korrigjues i politikave dhe drejtimit në të cilin po ecën vendi.”, ka shkruar në Fejsbuk deputeti, Venko Filipçe, i cili ishte bartës i listës zgjedhore në njësinë e katërt zgjedhore, ku LSDM-ja fitoi 5 mandate parlamentare.
Përndryshe Filipçe ka qenë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Zoran Zaevit, nga dhjetori 2017 deri në janar 2022. Në ndërkohë deri në këto momente kandidaturën për kryetar të LSDM-së e kanë shpallur edhe drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjiko-Industriale, Jovan Despotovski dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, tani deputete Sllavjanka Petrovska. Despotovski, dje në komisionin zgjedhor të partisë, ka dorëzuar propozim për plotësimin e dokumenteve të kandidatëve, gjegjësisht Despotovski propozon që secili kandidat të dorëzojë deklaratë me të cilën merr përsipër, që në rast se nuk zgjidhet kryetar i LSDM-së, të mos pranojë asnjë pozicion tjetër partiak në nivel qendror e as lokal. Zgjedhjet brendapartiake për kryetar të LSDM-së do të mbahen më 30 qershor.
ERSAN PAJAZITI
