Maqedoni

Ligji për rikonfigurim të kabinetit qeveritar, Gashi në koordinim me përfaqësues të partive

03.06.2024 15:25

Kryeparlamentari Afrim Gashi mbledh të gjithë përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të dakorduar ndryshimet ligjore...

Kryeparlamentari Afrim Gashi mbledh të gjithë përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të dakorduar ndryshimet ligjore për rikonfigurimin e kabinetit të Qeverisë. Synohet formimi i dy ministrive të reja për energjetikë dhe sport, duke e çuar numrin e ministrive në 18. Gjithashtu planifikohet të ketë dhe riorganizime, sikurse kalimi i sektorit të punës nga Ministria e Punës dhe Sociales në dikasterin e ekonomisë, ndërkaq nga ekonomia del sektori për turizëm dhe hyn nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës. Nga VLEN-i dhe VMRO-DPMNE-ja besojnë në arritjen e dy të tretave të votave për ndryshimet.
 
“Ne besojmë që do të japin përkrahje edhe partitë opozitare, LSDM-ja dhe “Fronti Evropian”, sepse është në drejtim të funksionalitetit dhe planifikimit për funksionimin e ri konform realizimeve të planeve programore. Ky është qëllimi dhe esenca dhe besoj se do të kalojë në Kuvend.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Halil Snopçe.
 
“Për momentin punojmë në ligjin për riorganizim të organeve të administratës shtetërore, gjegjësisht rikonstruimin e ministrive të caktuara dhe pres që të kemi mbështetje nga 80 deputetë, që të mund të funksionojë ajo që është kërkesë e qytetarëve.”, - theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Por, BDI-ja dhe LSDM-ja thonë se për ndryshimin e ministrive duhet parë tekstin ligjor.
 
“Nga ajo që kemi dëgjuar, kjo i shërben vetëm VMRO-DPMNE-së, pasi e kishin në programin e tyre parazgjedhor dhe disa institucione do ta udhëheqin përfaqësues jolegjitim të shqiptarëve në Qeveri, ku atje u merren kompetencat.”, - u shpreh Blerim Bexheti nga BDI.
 
“Ato ligje fillimisht duhet të vijnë në Kuvend. Nuk mund t’i japim mbështetje diçkaje që nuk e kemi parë. Duhet t’i shohim ligjet, çfarë shkruan, cili është teksti zyrtar dhe në bazë të kësaj do të marrim vendim se a do t’i mbështesim.”, - theksoi Oliver Spasovski nga LSDM.
 
Ndryshimet ligjore do të hyjnë në procedurë kah fundi i javës, por paraprakisht duhet të formohen dy komisione si filtra paraprak për ndryshimet ligjore. Aktualisht janë formuar vetëm Komisioni verifikues dhe Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Përderisa VMRO-ja dhe VLEN-i ende heshtin për emrat e ministrave, presidentja Gordana Siljanovska Davkova, këtë javë do të ndajë mandatin Mickoskit për formimin e Qeverisë së re, i cili në afat prej 20 ditëve do të duhet të dorëzojë në Kuvend përbërjen e kabinetit dhe programin, për t’u zgjedhur Qeveria e re me shumicë votash.
 
MERAL ISMAILI