Maqedoni

Qendra klinike “Nënë Tereza” – Shkup, nuk funksionojnë sallat me kapacitet të plotë

03.06.2024 15:40

Edhe këtë të hënë nuk funksionojnë sallat e ndërhyrjeve pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup....

Edhe këtë të hënë nuk funksionojnë sallat e ndërhyrjeve pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Mostejkalimi i gjendjes në kirurgji tashmë ka hyrë në javën e tretë dhe vazhdon të shkaktojë kaos në të gjitha institucionet shëndetësore, shtetërore dhe ato private. Udhëheqësi i punëve teknike pranë NP “Shërbimet e përbashkëta”, Stojçe Nikollovski, tha se dy kompresorë  janë në funksion dhe po punojnë për nevojat e klinikave. Por, pse sallat kirurgjikale janë ende jashtë përdorimit, tha se nuk mund të përgjigjet, pasi që kjo çështje u takon autoriteteve të klinikës. Përveç kësaj, gjatë ditës së hënë, ekipe të veçanta ekspertësh kanë kryer edhe një inspektim të jashtëzakonshëm të kompresorëve.
 
“Për momentin, dy prej gjithsej tre kompresorëve janë duke punuar. Njëri prej tyre para dy muajsh është ndalur për shkak të defektit që pësoi dhe nuk besoj se mund të riparohet. Stacioni bazë i kompresorëve në këtë klinik është mbi 30 vjet i vjetër. Cila është arsyeja se pse nuk punojnë sallat kirurgjikale, këtë duhet të tregojnë autoritetet e klinikës, pasi që nga e njëjta bazë e kompresorëve furnizohen edhe klinikat tjera.”, - deklaroi udhëheqësi i shërbimit teknik në NP “Punë të përbashkëta”, Stojçe Nikollovski.
 
Qytetarët dhe pacientët në nevojë thonë se kjo situatë është tejet e vështirë, pasi që për ndërhyrje urgjente është dashur të drejtohen deri tek Spitali i Qytetit, ku gjithashtu mbretëron kaos i vërtetë ose të presin kur të zgjidhet problemi me sallat.
 
”Djali im theu këmbën, dy ditë është këtu dhe për shkak se nuk janë në funksion sallat e operimit na thanë njëherë të provojmë të vendojmë këmbën në gips dhe nëse jo të premten urgjentisht të vendoset në operim.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Bashkëshortja ime ka gurë në tëmth dhe kemi ardhur këtu. Nuk e di se çfarë do t’i konstatohet asaj, mirëpo kam dëgjuar se sallat kirurgjikale janë jashtë përdorimit.”, - tha një qytetar.
 
Sallat për ndërhyrje kirurgjike pranë Qendrës Klinike në Shkup tashmë dy javë janë jashtë funksionimit, ata nuk përdoren dhe janë të mbyllura për shkak të erës së keqe që kundërmon dhe për shkak problemeve me pompat e oksigjenit. Deri tani janë anuluar qindra ndërhyrje të caktuara, ndërsa me ndihmën pompave të oksigjenit nga jashtë po kryhen ndërhyrjet urgjente të pacientëve që janë shtruar në spital.
 
REXHEP QAMILI