Maqedoni

Gjykata Kushtetuese, sërish dështon zgjedhja e kryetarit të gjykatës

03.06.2024 15:51

Edhe më tej përpjekje të dështuara të gjykatësve Kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate...

Edhe më tej përpjekje të dështuara të gjykatësve Kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate. Në seancën e sotme, nga gara u tërhoq gjykatësja, Ana Pavlovska Daneva, për siç ka thënë nuk dëshiron që kandidimi i saj të jetë shkaktar i krizës kushtetuese. Kandidatja Vasiq Bozaxhieva nuk mori mbështetje për kryetare të Gjykatës Kushtetuese. Në tentimet e deritanishme, Bozaxhieva ka arritur të marrë 5 vota, të cilat nuk janë të mjaftueshme për t'u zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetje nuk mori as gjykatësi, Osman Kadriu, me 5 vota. Arsyeja për ndarjen e tillë të votimit dhe për mosarritjen e shumicës, sipas njoftimit nga Gjykata është se Gjykatësit votojnë sipas bindjes së tyre dhe se votimi pro ose kundër është bindje e tyre personale. Nga Gjykata Kushtetuese njoftojnë se procedura do të vazhdojë deri në zgjedhjen e kryetarit. 
 
"Procedura për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vazhdon në përputhje me nenin 7 paragrafin 4 të Rregullores së Punës së Gjykatës, sipas të cilit nëse kandidati nuk merr shumicën e kërkuar, procedura për zgjedhjen e kryetarit përsëritet.".
 
Duke filluar nga 30 maji kanë dështuar 8 tentime për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kreu i ri i Kushtetueses duhet të zëvendësojë kryetaren paraprake, Dobrila Kacarska, mandati trevjeçar i së cilës skadoi të dielën, më 2 qershor. Gjykata Kushtetuese është organ kolektiv, sigurisht që vendimet merren me shumicë dhe kryetari është vetëm i pari mes të barabartëve, në këtë kuptim vendimmarrje është kolektive për çështjet që kanë të bëjnë udhëheqësinë, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.
 
FLORIJE KAMBERI