Botë
Lufta në Gazë, Egjipti i shqetësuar për luftimet në kufirin e tij
03.06.2024 16:06
Bombardimet izraelit vazhdojnë mbi Rripin e Gazës, duke vrarë 60 civilë dhe mbi 220 të tjerë janë plagosur....

Bombardimet izraelit vazhdojnë mbi Rripin e Gazës, duke vrarë 60 civilë dhe mbi 220 të tjerë janë plagosur. Ofensiva ushtarake është fokusuar në Rafah, në afërsi të pikës kufitare me Egjiptin. Ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shukru, gjatë takimit me homologun e tij spanjoll, Hose Manuel Albares në Madrid, tha se Egjipti kundërshton praninë izraelite në pikën kufitare Rafah midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës. Ai gjithashtu tha se propozimi aktual i paqes për Gazën meriton të pranohet, sepse mund të çojë në një armëpushim.
"Për çështjen e ekzistencës së trupave izraelite në Gazë, nuk është vetëm Egjipti që e refuzon atë, por të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare e refuzojnë atë dhe të gjithë kjo ka të bëjë me vendkalimin Rafah. Propozimi aktual meriton të pranohet, sepse mund të çojë në një armëpushim, të ndalojë vrasjet kundër popullit palestinez në Gazë dhe është një armëpushim që mund të jetë i qëndrueshëm dhe i plotë.”, - deklaroi ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shukri.
Ndërsa Spanja tha se po përballet me presione të vazhdueshme pas njohjes së Palestinës, bashkë me vendet tjera që iu bashkuan kësaj nisme.
"Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë presion nga Izraeli pas njohjes së shtetit palestinez. Sllovenia ka kërkuar t'i bashkohet kësaj përgjigjeje të përbashkët, sepse që nga vendimi i së enjtes për të njohur shtetin e Palestinës, ata kanë qenë nën presione të ngjashme dhe siç thamë atë ditë, ne nuk do të frikësohemi. Sigurisht, me atë fushatë nuk do të biem në provokime dhe do të veprojmë me qetësi, por do të japim përgjigjen e duhur.”, - theksoi ministri i Jashtëm spanjoll, Hose Manuel Albares.
Nga ana tjetër, autoritetet e Izraelit janë zotuar se lufta nuk do të përfundojë derisa Hamasi të shpërbëhet nga aftësitë e tij ushtarake dhe qeveritare.
"Institucioni i sigurisë, duke ndjekur udhëzimet e mia, po përgatit alternativën qeverisëse ndaj Hamasit, që kur të izolojmë zonat, do t'i largojmë njerëzit e Hamasit prej tyre dhe do të fusim forca të tjera në to, kjo do të mundësojë një qeveri tjetër që do të kërcënojë gjithashtu Hamasin. Në çdo fazë, në çdo proces për t'i dhënë fund luftës, ne nuk do të pranojmë sundimin e Hamasit si autoritet në Gazë.", - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Gallant.
Shtëpia e Bardhë tha se Hamasi vazhdon të paraqesë kërcënim për Izraelin, por ky i fundit i ka përmbushur shumicën e qëllimeve në Gazë.
“Hamasi është fshirë nga faqja e hartës. Ne nuk kemi thënë se Hamasi nuk ka kapacitete ushtarake, nuk kemi thënë se ato ende nuk përfaqësojnë një kërcënim të qëndrueshëm për popullin izraelit. Sigurisht që e bëjnë. Por ata nuk kanë aftësitë ushtarake për të bërë atë që bënë më 7 tetor. Dhe kështu vetëm nga një perspektivë ushtarake, presidenti Bajden tha se izraelitët kanë përmbushur shumicën e qëllimeve të tyre në Gazë.”, - deklaroi këshilltari i Komunikimit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi.
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan thotë se lufta në Gazë nuk ka filluar më 7 tetor, por shtypja që Izraeli iu bën palestinezëve po ndodh për afro tetë dekada.
"Populli palestinez po përpiqet të jetojë për 76 vjet me gjithë presionin e madh nga Izraeli. Territoret palestineze janë pushtuar hap pas hapi gjatë 76 viteve të fundit. Turqia e ka kundërshtuar këtë masakrën dhe mizorinë gjatë 76 viteve të fundit dhe e kemi shprehur këtë padrejtësi në çdo platformë. Megjithatë, përgjigja e Netanjahut është e njëjtë, ai vazhdon politikën e tij të gjakderdhjes dhe të dhunës në rritje për masakër dhe okupim.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në Rafah, një qytet në Gazën jugore, ku më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur kishin kërkuar strehim.
FARIJE DAUTI BAKIJU
