Botë

Zgjedhjet në Serbi, Sinani dhe Pajaziti fitojnë Preshevën dhe Bujanocin

03.06.2024 16:30

Të dielën, Serbia mbajti zgjedhjet lokale në 89 komuna dhe qytete....

Të dielën, Serbia mbajti zgjedhjet lokale në 89 komuna dhe qytete. Partia Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe qytete të tjera. Pas numërimit të më shumë se 92% të votave, PPS-ja e  mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – mori 52.85% të votave. Konkurrentja më e afërt e PPS-së, “Lëviz-Ndrysho”, e kryesuar nga Savo Manojlloviq, është renditur e dyta me 17.61% të votave. 
 
Ndërsa në komunat e banuara me shqiptarë, në Preshevë ku 30% e banorëve morën pjesë në votim e në Bujanoc 28% e tyre kanë fituar Ardita Sinani dhe Arbër Pajaziti. Në Preshevë, Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik ka arritur të sigurojë më shumë se 40 mijë vota. Ndërkohë, në Bujanoc, me 28% pjesëmarrës në votim, fitoren e shpalli Arbër Pajaziti nga koalicioni “Fronti për Ndryshim”, me rreth 2.680 vota nga rezultatet paraprake. 
 
Gjithashtu, organizatat që i monitoruan zgjedhjet, raportuan për blerjen e votave apo regjistrimin e dyfishtë të votuesve. Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor.
 
SANIJE KASAMI