Botë

Izraeli konfirmon vdekjen e katër pengjeve tjera izraelite në Gaza

03.06.2024 21:37

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka marrë vesh për vdekjen e katër pengjeve tjera...

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka marrë vesh për vdekjen e katër pengjeve tjera që janë marrë prej Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – më 7 tetor të vitit të kaluar.

Sipas saj, katër personat janë vrarë gjatë një operacioni izraelit në Han Junis, në jug të Gazës, duke shtuar se trupat e tyre janë duke u mbajtur ende prej militantëve.

Burrat janë identifikuar si Nadav Popplewell, 51-vjeçar, Chaim Peri, 79-vjeçar, Yoram Metzger, 80-vjeçar dhe Amiram Cooper, 85-vjeçar.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka thënë se inteligjenca e mbledhur në javët e fundit ka çuar në këtë përfundim.

“Ne vlerësojmë që të katërtit janë vrarë në zonën e Han Junisit gjatë operacionit tonë kundër Hamasit”, ka thënë ai, pa dhënë më tepër hollësi.