Botë

Moska shënon ditën më vdekjeprurëse në Ukrainë, 270 ushtarë rusë të vrarë në 24 orë

04.06.2024 11:33

Vladimir Putin ka humbur më shumë se 1.200 trupa në vetëm 24 orë..

Vladimir Putin ka humbur më shumë se 1.200 trupa në vetëm 24 orë, duke shënuar ditën më vdekjeprurëse të Rusisë në luftën e saj me Ukrainën. Rritja e viktimave në radhët e trupave ruse vjen pasi vendet perëndimore, përfshirë ShBA-në, i dhanë Ukrainës dritën jeshile për të goditur Rusinë me armët e tyre. 
 
Javën e kaluar, presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, i dha leje Ukrainës të përdorte armë të prodhuara nga ShBA-ja për të goditur brenda Rusisë. Një burim tha se kjo do t’i lejonte Ukrainës të “godiste kundër forcave ruse”, ndërsa një tjetër tha se kështu Ukraina kishte “fleksibilitetin” për t’u mbrojtur. Raketat Himars të prodhimit amerikan u përdorën më pas në sulmet ndaj trupave ruse në Belgorod, pohuan dje burimet ruse.
 
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, u kërkon vazhdimisht aleatëve të vendit të tij leje për të përdorur armët e tyre në tokën ruse. Muajin e kaluar, sekretari i Jashtëm Lord Kameron tha se i takon Ukrainës të vendosë se si të përdorë armët britanike dhe këmbënguli se ajo kishte të drejtë të godiste objektiva në territorin rus. Rusia dihet se përdor armë iraniane, koreano-veriore dhe kineze për të sulmuar Ukrainën, por Putini ka thënë se përgjigjja e Kievit me raketa nga aleatët rrezikon një “konflikt global”.