Botë

Armëpushimi në Gazë, ShBA-ja kërkon mbështetje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

04.06.2024 11:58

Shtetet e Bashkuara i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta mbështesë planin trefazor...

Shtetet e Bashkuara i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta mbështesë planin trefazor, të shpallur nga presidenti Xho Bajden, që synon t’i japë fund luftës gati tetëmujore në Gazë.
 
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Tomas-Grinfild, tha se ShBA-ja shpërndau një projekt-rezolutë te 14 anëtarët e tjerë të Këshillit, për mbështetjen e përfundimit të konfliktit. Plani i shpallur nga Bajdeni përfshin, mes tjerash, armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi. Ministrat e Jashtëm të pesë vendeve kryesore arabe - Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit dhe Egjiptit - kërkuan nga Izraeli dhe Hamasi që ta konsiderojnë propozimin e Bajdenit “seriozisht dhe pozitivisht”.
 
Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë. Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Bajden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, se do të tërhiqen të gjitha forcat izraelite, se do të ketë lëvizje të lirë për palestinezët dhe se do të ketë ndihma për rindërtimin e Gazës.